Forcat e këmbësorisë izraelite kanë filluar të hyjnë në Libanin e jugut.
Dëshmitarët thanë se tanket dhe autoblindat izraelite kanë hyrë të paktën 7 kilometra në territorin libanez. Njoftohet se trupat izraelite po luftojnë me militantët Hezbollah.
Ushtria izraelite tha se përparimi i trupave nuk shënon zgjerimin e ofensivës tokësore, që u miratua dje nga Këshilli izraelit i Sigurimit. Izraeli tha se forcat e tij po vënë në shënjestër pozicionet e Hezbollahut në qytetin Khiam, nga ku dje u hodhën më shumë se 60 raketa në Izrael.
Më parë, udhëheqësi i Hezbollahut, Sheiku Hasan Nasrallah u zotua gjatë një fjalimi në televizion se do ta kthejë Libanin në një ‘varrezë’ për trupat izraelite.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se 15 ushtarë të saj u vranë dhe 38 u plagosën dje në përleshje me Hezbollahun në Libanin e jugut, dita më e përgjakshme për Izraelin në ofensivën 4 javore në Liban. Të paktën 30 luftëtarë Hezbollah u vranë. //ze//