Lidhje

A ka vdekur komunizmi?


Sipas pjesëmarrësve të një diskutimi që u zhvillua ditët e fundit këtu në Washington, një e pesta e popullsisë së botës jeton nën komunizëm, megjithëse jo sepse e duan një gjë të tillë. Disa prej diskutantëve presëmarrës thanë se numri i atyre që u zhdukën nga komunizmi mund të mos mësohet kurrë.

Analistët që diskutuan mbi të ardhmen e komunizmit thanë se mbi 100 milion njerëz në gjithë botën janë eliminuar gjatë 90 vjetëve të fundit nga regjime komuniste.

Lee Edwards, analist politik pranë organizatës jo-qeveritare, Heritage Foundation, thotë se është një dështim moral i kohës sonë që pasqyra e plotë e krimeve të komunizmit vazhdohet të kuptohet në mënyrë krejt të zbehtë.

“Kush e di që nën komunizëm kanë vdekur më shumë njerëz se sa gjatë gjithë luftërave të shekullit të 20 së bashku.”

Frank Kalzon, drejtor ekzekutiv i qendrës për një Kubë të Lirë vë në dukje se viktimat e komunizmit përfshijnë edhe ata njerëz, që i kanë mbijetuar shtypjes komunizte, por vuajnë gjatë gjithë jetës pasoja mendore.

Gjatë 70 vjetëve të komunizmit, udhëheqësit e këtij sistemi burgosën qindra miliona njerëz për bindjet e tyre. Qytetarëve të regjimeve komuniste iu konfiskuan pasuritë e tyre personale. Të tjerëve iu mohua çdo mundësi për arsye të biografisë familjare. Zoti Kalzon thotë se shtypja ende vazhdon në vendet komuniste.

“Sot në Birmani, Kinë, Bjellorusi, në Kubë viktimat janë ata që guxojnë të thonë atë që shumica e njerzve rreth tyre janë gati vetëm ta mendojnë atë.”

Harry Vu, i cili u ka shpëtuar kampeve të punës në Kinë, thotë se komunizmi sot është produkt i diktatorëve dhe jo i ideologjisë.

“A po vdes komunizmi? Ai ka vdekur. Edhe në Kinë asnjeri nuk beson në komunizëm. Asnjeri nuk beson se komunizmi sjell një të ardhme të mirë.”

Zoti Vu thotë se në periudhën 1940-1960, njerzit ishin të gatshëm të luftonin për ideologjinë komuniste, por besimi i tyre në parimet e një shoqërie pa klasa është venitur me kalimin e viteve. Zoti Vu thotë se aty ku ekziston, komunizmi mbijeton për shkak të frikës dhe kërcënimit të sunduesve autokratë.

Kongresi amerikan ka miratuar një ligj për ndërtimin e një memoriali këtu në Washington për nder të më shumë se 100 milion viktimave të komunizmit. Puna për hedhjen e themeleve të këtij memoriali është në plan të fillojë muajin e ardhshëm dhe ndërtimi i memorialit pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG