Lidhje

Drejtuesit e luftës kundër Sidës kërkojnë më shumë fonde për të luftuar sëmundjen


Kreu i Fondit Global për Luftën kundër Sidës, Tuberkulozit dhe Malarjes thotë se është shënuar përparim në luftën kundër Sidës, por nevojiten më shumë fonde.

Richard Feachem i bëri këto komente të hënën në Konferencën e 16-të ndërkombëtare të Sidës, në të cilën marrin pjesë 24 mijë vetë nga e gjithë bota.

Zoti Feachem tha se kërkesat e vendeve të ndryshme për ndihma nga Fondi mbeten të mëdha, megjithë shumën prej 500 milion dollarësh që Fondacioni Bill dhe Melinda Gejts u zotua të dhurojnë kohët e fundit.

Themeluesi i Mikrosoftit dhe filantropi Bill Gejts, u bëri të dielën thirrje qeverive të botës që të shpenzojnë më shumë për kërkimet mbi sëmundjen e Sidës, që mund t’u japin grave forma më të mira për t’u vetëmbrojtur.

Ai u bëri thirrje delegatëve të shpejtojnë punën për gjetjen e një ilaçi i cili do të pengonte transmetimin e virusit HIV, që shkakton Sidën.

Një raport nga OKB-ja i publikuar në qershor thoshte se në 25 vjetët e fundit, 65 milionë vetë janë infektuar nga virusi HIV.

25 milionë vetë kanë vdekur nga sëmundje që kanë lidhje me Sidën. Në raport thuhet se sot në botë ka afro 39 milionë vetë të infektuar nga virusi HIV.

XS
SM
MD
LG