Lidhje

Bush: Iranit t’i vihen sanksione nëse nuk ndërpret pasurimin e uraniumit


Presidenti Bush thotë se Irani duhet të përballet me sanksione ndërkombëtare, nëse nuk e respekton afatin për ndërprerjen e pasurimit të uraniumit. Presidenti Bush i bëri këto komente pas deklaratave të udhëheqësit suprem të Iranit, i cili tha se Teherani do të vazhdojë punën në aspektin e teknologjive bërthamore.

Presidenti Bush thotë se sfida ndaj mandateve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk duhet të tolerohet. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush u pyet nëse beson se Këshilli i Sigurimit do të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta ndëshkuar Iranin nëse Teherani nuk i bindet afatit të 31 gushtit për të ndërprerë pasurimin e uraniumit, i cili mund të përdoret për ndërtimin e një arme bërthamore. “Sigurisht që shpresoj se kjo do të ndodhë,” u përgjigj Presidenti:

“Në mënyrë që OKB-ja të jetë efikase, atëhere pasojat nuk duhet të mungojnë nëse dikush i bëb sfidë Këshillit të Sigurimit. Dhe ne do të punojmë me Këshillin e Sigurimit për ta arritur këtë objektiv,” tha Presidenti Bush.

Po dje, udhëheqësi suprem iranian, ajatollahu Ali Khamenei la të kuptohet se nuk do të ketë ndërprerje në veprimtaritë e Iranit në fushën e teknologjisë bërthamore.

Televizioni shtetëror citoi ajatollahun sipas të cilit Irani e ka marrë vendimin e tij mbi çështjen bërthamore dhe me durim dhe forcë do të vazhdojë rrugën e nisur. Ai i quajti Shtetet e Bashkuara njërën prej disa “fuqive arrogante” që i bëjnë presion Iranit, nën supozimin e pavërterë se Teherani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore.

Irani ka ngulur këmbë vazhdimisht se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, i shërben prodhimit të energjisë për një popullsi në rritje.

Presidenti Bush theksoi se ai dëshiron që mosmarrëveshja me Iranin të zgjidhet në mënyrë diplomatike, por tha se në mënyrë që kjo të ndodhë, komuniteti ndërkombëtar duhet të flasë me Teheranin me një zë të vetëm.

Ai shtoi se shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Iranin shkojnë përtej programit bërthamor, dhe përfshijnë edhe nxitjen e terrorizmit ndërkombëtar.

“Është e qartë se Irani është pjesë e problemit. Ata mbështesin Hezbollahun. Ata nxisin një degë radikale të Islamit. Imagjinoni sa e vështirë do të ishte kjo çështje nëse Irani do të kishte armë bërthamore. Prandaj, i takon komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, të punojë në harmoni për një diplomaci efikase,” tha Presidenti Bush.

Deklarata e ajatollahut është ndoshta një parathënie e përgjigjes zyrtare të Iranit ndaj paketës ndërkombëtare të stimujve që ai të ndërpresë pasurimin e uraniumit. Teherani ka premtuar ta japë përgjigjen sot. //ii

XS
SM
MD
LG