Lidhje

Shqipëri: KQZ-ja miraton strukturën e komisioneve zonale të votimit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot listën e partive politike që kanë të drejtë të kenë anëtarë në komisionet zonale të votimit. Pas votimit të vendimit, kryetari i KQZ, Çlirim Gjata, u bëri thirrje partive politike që të sjellin sa më parë emrat e komisionerëve, sepse ata do të fillojnë trajnimet për njohjen e ligjit.

"Ju urojmë punë të mbarë dhe sukseseve KZQV-ve, dhe shfrytëzoj rastin t'u bëj thirrje partive politike që sapo morën miratimin e KQZ për të paraqitur propozime, ju lutem sa më shpejt të fillojmë trajnimet. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur". - tha zoti Gjata.

Ekspertët iu referuan ligjit sipas të cilit, 6 komisionerë zgjidhen nga partitë kryesore dhe aleatët e tyre më të vegjël, dhe i shtati zgjidhet me short. Përfaqësues të opozitës kanë deklaruar bashkarisht se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, nëse nuk plotesohen disa kërkesa të tyre që lidhen me lirinë e mediave, regjistrin e votuesve dhe përbërjen e KQZ.

Megjithë qëndrimet skajshmërisht të kundërta për shumë ditë, pozita dhe opozita kanë siguruar kontaktet e para për kompromis pikërisht për njërën nga tre cështjet e ngritura nga të majtët. OSBE ka organizuar një seri negociatash me partitë politike në përpjekje për të zbutur situatën politike dhe për të afruar qëndrimet e tyre në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Pavel Vacek, zhvilloi një takim mbrëmjen e të mërkurës me përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste të opozitës. Burime të besueshme nga ky takim bënë të ditur jozyrtarisht për VOA se tema kryesore e bisedimeve ishte reforma në media, por pa pranuar të shpjegoje detaje rreth bisedimeve apo ndonjë kompromis të ofruar nga secila palë. I njëjti burim tha se takimi është pjesë e një serie të gjatë bisedimesh konfidenciale, për të cilat pjesëmarrësit janë marrë vesh të mos përhapin detaje me të cilat mund të spekullohet, por do të publikojnë vetëm në fund rezultatet e negociatave.

Ambasadori Vacek i OSBE tha për mediat të martën se po ndiqte nga afër zhvillimet politike në Shqipëri, dhe se po mbante kontakte të afërta me partitë politike shqiptare, duke shtuar se ishte i sigurtë që të dy palët, si pozita edhe opozita, do të rifillojnë dialogun në shtator. Amb.Vacek tha gjithashtu se OSBE do të japë edhe në vazhdim ndihmën e vet në të gjithë procesin dhe reformat politike e ligjore të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG