Kryeministri irakian Nouri al-Maliki kryesoi sot në Bagdat një konferencë për bashkimin kombëtar me pjesëmarrjen e fraksioneve të ndryshme fisnore të vendit. Zoti Maliki u tha qindra udhëheqësve fisnorë se bashkimi kombëtar është çelësi për çlirimin e Irakut nga prania e forcave të huaja dhe nga terroristët.
Kryeministri al-Maliki theksoi se nuk ka dallime midis irakianëve, qofshin këta suni, shiitë apo të krishterë. Iraku është përfshirë nga dhuna sektare midis shiitëve dhe sunive që nga shpërthimi në shkurt në xhaminë shiite të Samarës.
Po sot në një zhvillim tjetër, zyrtarë në Irak thanë se një anëtare suni e parlamentit irakian, e rrëmbyer para gati 2 muajsh, u lirua nga rrëmbyesit e saj. Tayseer al-Mashhadani u rrëmbye më 1 korrik bashkë me 7 roje të saj, ndërsa ata kalonin nëpër një lagje shiite në Bagdatin verior. Ajo është anëtare e Frontit të Marrëveshjes Irakiane, blloku më i madh parlamentar i pakicës suni.