Në përvjetorin e parë të uraganit Katrina presidenti Bush u angazhua që qeveria federale të vazhdojë të ndihmojë njerëzit përgjatë bregut të Gjirit në Amerikë të rindërtojnë jetët e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns njofton se stuhija vrasëse ishte katastrofa më e kushtueshme natyrore në Amerikë.
Presidenti Bush tha se uragani Katrina tregoi se zyrtarët vendorë, federalë dhe shtetërorë ishin të papërgatitur për t’iu përgjigjur katastrofave të tilla. Ai tha se përmbytjet ekspozuan gjithashtu varfërinë e thellë që u ka mohuar njerzve çdo mundësi. Kështu që pas stuhisë, ai bëri një premtim të thjeshtë. “Qeveria federale nxorri mësime nga Katrina. Ne do të bëjmë gjithaçka dhe do të qëndrojmë sa të jetë e nevojshme për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona të ndërtojnë një Bregdet të ri të Gjirit ku çdo qytetar të ndjehet pjesë e premtimit të madh të Amerikës.”
Administrata e presidentit Bush u kritikua gjerësisht për përgjigjen e avashtë ndaj stuhisë shkatërrimtare që morri jetën e më shumë se një mijë personave dhe la 80 përqind të qytetit të Nju Orlinsit nën ujë. Kishte gjithashtu akuza për racizëm, ndërkohë që shumë nga të bllokuarit në përmbytje ishin zezakë.
Një vit më vonë, presidenti tha se ka shenja inkurajuese për rimëkëmbje. Por në fjalimin e tij të përjavshëm në radio presidenti pranoi se ka ende mbetet shumë punë për t’u bërë ndërsa vazhdon rimëkëmbja.
Në fjalimin në radio të partisë demokrate, senatorja nga shteti Luiziana Mary Landrieu tha se rindërtimi në shumë komunitete vetëm sa ka filluar dhe se përsa kohë që dhjetra mijëra familje nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre, rimëkëmbja mbetet e papërfunduar. “Lagje të panumërta duken sikur i ka goditur uragani vetëm dje. Ato shërbejnë si kujtesë e hidhur sa i papërgatitur ishte kombi. Fatkeqësisht, vendi ynë në shumë mënyra mbetet e papërgatitur ndaj katastrofave madhore, qofshin këto uraganë, tërmete apo sulme terroriste.”
Pas një rishikimi të përgjigjes së qeverisë ndaj uraganit Katrina, presidenti Bush tha se zyrtarët po bëjnë reforma që do të përmirësojnë përgjigjen në rastet e emergjencës. Një projektligj prej 110 miliardë dollarësh është vënë në dispozicion për të ndihmuar rimëkëmbjen e zonës, para që zoti Bush thotë se duhet të përdoren sipas nevojave, vizionit dhe aspiratave të popullit të Mississippit dhe Luizianës. “Kjo do të kërkojë vendosmërinë e qeverisë, bujarinë dhe zemërgjerësinë e popullit amerikan, talentin dhe vizionin e njerëzve të vendosur për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Ne do të qëndrojmë të angazhuar derisa puna të përfundojë dhe duke punuar së bashku, do të ndihmojmë qytetarët tanë të zonës të shkruajnë një të ardhme të re të shpresës, drejtësisë dhe mundësive për të gjithë.”
Presidenti dhe zonja Bush do të shkojnë në zonën e Gjirit javën tjetër për t’u takuar me udhëheqës të komuniteteve në Misisipi dhe Luiziana dhe për të marrë pjesë në shërbesat përkujtimore në katedralen e Shën Luizit në Nju Orlins.