Gjyqi i Sadam Huseinit, i cili akuzohet për një operacion ushtarak kundër kurdëve dy dekada më parë, i ka nxjerrë përsëri në qendër të vemendjes ato ngjarje, që njihen ndryshe me emrin Fushata e Anfalit. Prokurorët thonë se gjatë fushatës, 180 mijë kurdë u vranë dhe mijra fshatra u rrafshuan. Regjisori amerikan me origjinë kurde, Jano Rosebiani është përpjekur të pasqyrojë përmasat e shkatërrimeve në një sërë filmash të tij dokumentarë, ku viktimat dhe të mbijetuarit tregojnë historinë e tyre.
Lëngatat e një nëne kurde e cila kujton se si burri dhe 8 fëmijët e saj u vranë gjatë fushatës së Anfalit në Irak, janë vetëm njëra prej shumë dëshmive emocionale që ka mbledhur në intervistat e tij regjisori Jano Rosebiani për dokumentarin e titulluar "Varre masive." Rosebiani është regjisor kurdo-amerikan dhe qëllimi që i ka vënë vetes me dokumentarin “Varre masive” është të nxjerrë në dritë krimet e përbindëshme që u kryen gjatë sundimit të Sadam Huseinit. "Po shihja se askush nuk po bënte ndonjë film ose dokumentar që të përshkruante në hollësi këto ngjarje në mënyrë që shikuesit jashtë këtij rajoni të mund të kuptonin realisht tragjedinë që ndodhi këtu, përmasat e saj, të cilat ne mund t’i quajmë në fakt gjenocid."
Me mbështetjen financiare të qeverisë amerikane, Rosebiani realizoi tre dokumentarë me titujt “Varre masive”, “Aliu Kimik” dhe “Armët e shkatërrimit në masë.” Të tre këta filma përshkruajnë në hollësi krimet e kryera nga Sadam Huseini përmes rrëfimeve të dëshmitarëve. Njerëzit tregojnë se si i kanë parë të afërmit duke u torturuar përpara syve të tyre, duke u detyruar të largohen nga shtëpitë dhe t’u shpëtojnë sulmeve me armë kimike, tregojnë për ndjenjën e izolimit me të cilën kanë jetuar. Një burrë rrëfen se si arriti të shpëtojë dhe të shkojë në një kamp turk refugjatësh por zyrtarët e atjeshëm refuzonin të pranonin se ai ishte viktimë e një sulmi kimik. "Ne u tregonim turqve për armët kimike që kishin përdorur kundër nesh, kurse ata na thoshin që të mbyllnim gojën. ‘Jeni djegur nga zjarri’, na thoshin.”
Rosebianit iu dha gjithashtu mundësia të shfrytëzonte imazhe të xhiruara nga ushtria irakiane, ku dokumentoheshin torturime dhe vrasje. Rosebiani thotë se duhet të jesh shpirtërisht i fortë që të mund t’i shohësh filmat e tij. "Realizimi ishte shpirtërisht i vështirë. Shikoja fëmijët e mij dhe pastaj mendoja për historitë që më rrëfenin ata, se çfarë u kishte ndodhur fëmijëve të tyre. Ndonjëherë më dukej sikur po çmendesha."
Tani që Sadam Huseini dhe 6 nga ish komandantët e tij ushtarakë kanë dalë në gjyq për gjenocid kundër kurdëve, Rosebiani ndjen një farë kënaqësie. Ai thotë se filmat e tij përgatisin terrenin për gjyqin e tanishëm duke e argumentuar çështjen kundër Sadam Huseinit në gjyqin e madh të opinionit botëror.