Lidhje

Serwer: Ndarja territoriale e Kosovës mund të shmanget nëse shqiptarët krijojnë kushtet për kthimin e serbëve


Një ekspert për çështjet e Ballkanit thotë se ndarja territoriale e Kosovës në vija etnike mund të shmanget nëse shumica shqiptare krijon kushtet për kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre. Daniel Serwer bashkëautor i një raporti të Institutit Amerikan të Paqes që paralajmëron për rrezikun e ndarjes së Kosovës, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se një ndarje e tillë do të shkaktonte paqendrueshëri në rajon. Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet seriozisht për të mos lejuar realizimin e një skenari të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer në raportin tuaj të fundit ju flisni për rrezikun e ndarjes territoriale të Kosovës në vija etnike. Sa reale është një mundësi e tillë?

Daniel Serwer: Ndarja territoriale në Kosovë është një realitet, veçanërisht ndarja nga lumi i Ibrit. Por ka shumë serbë edhe në Jug të Ibrit, të përqendruar në enklava. Një realitet i tillë mund të bëhet edhe më i theksuar pas statusit nëse nuk bëhet diçka për ta parandaluar.

Zëri i Amerikës: Ju paralajmëroni gjithashtu për rrezikun që mund të shkaktojë një gjë e tillë për rajonin në përgjithësi, jo vetëm për Kosovën. Pse e parashikoni një rrezik të tillë?

Daniel Serwer: Paraqet rrezik për rajonin sepse çfarëdo që serbët që të sigurojnë në Kosovë përmes qeverisjes së veçantë, ose qeverisjes nga Beogradi, gjë që ata, ose të paktën disa po e kërkojnë, mund ta kërkojnë edhe shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Serbinë Jugore. Po ashtu mendoj se mund të thuhet se ka pasur një ringjallje të konsiderueshme në disa qarqe, të ideve të ndarjes territoriale në linja etnike në Republikën Serbe të Bosnjës. Historia e 15 vjetëve të fundit është në thelb një histori refuzimit për të lejuar ndarjen territoriale në baza etnike, për shkak të brutalitetit dhe paqendrueshmërisë që shkakton. Që të realizohet tani një program i tillë, do të ishte një gabim i jashtëzakonshëm. Sigurisht që edhe në palën shqiptare ka nga ata që e mbështesin këtë program.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se një gjë e tillë është e pashmangshme nëse nuk bëhen përpjekje para statusit të Kosovës. Cilat janë përpjekjet që duhen bërë?

Daniel Serwer: Mënyra më e mirë për të shmangur ndarje territoriale në vija etnike në Kosovë do të ishte që shumica shqiptare të krijonte kushte për kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre në gjithë Kosovën. NJë gjë duhet të jetë e qartë: Programi për ndarjen territoriale në baza etnike ka sot një shans vetëm sepse shumica nuk ka arritur që të krijojë kushtet për kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre. Edhe po ta bëjnë sot një gjë të tillë do të ndihmonte për shmangien e ndarjes. Kjo është e para gjë që duhet bërë. E dyta do të ishte një lloj regjimi ndërkombëtar për veriun e Kosovës. Veriu i Kosovës nuk do të integrohet dot me shpejtësi në Kosovë. Ajo zonë është nën kontrollin e drejpërdrejtë të Beogradit. Mundësia e vetme që ajo zonë të kthehet në të ardhmen nën kontrollin e Prishtinës, nëse ka një regjim ndërkombëtar atje që synon seriozisht riintegrimin. Integrimi ka qenë i suksesshëm në vende si Bërçko në Bosnjë, apo Sllavonia të Kroacisë. Nuk ka absolutisht arsye që të mos jetë i suksesshëm edhe në Kosovë. Por komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet seriozisht për një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj ju gjithashtu flisni për decentralizimin dhe se si kjo formulë po përdoret nga serbët më shumë si kod për ndarjen e Kosovës. Si mund të shmanget keqpërdorimi i këtij procesi që po kërkohet me kaq vendosmëri?

Daniel Serwer: Unë nuk jam kundër decentralizimit. Këtu në Amerikë ne jetojmë në një vend të decentralizuar. Unë vetë për shembull kam më shumë lidhje me qeverinë lokale të Uashingtonit se sa me qeverinë federale të Shteteve të Bashkuara. Por Beogradi e ka bërë të qartë se me decentralizim nënkupton qeverisjen e drejtëpërdrejtë të serbëve në territorin e tyre nga Beogradi. Kjo duket qartë nga një sërë deklaratrash të zyrtarëve serbë si dhe në rezolutën e parlamentit të Serbisë. Pra plani i Serbisë është më se i qartë. Mënyra e vetme për ta shmangur këtë është duke realizuar një decentralizim të vërtetë dhe jo një decentralizim që vetëm emrin ka të tillë. Prandaj ne e kemi quajtur mashtrim këtë formë decentralizimi. Në Kosovë duhet të ketë decentralizim të vërtetë, kjo do të thotë që disa komunitete duhet të jenë të integruara, si me shqiptarë edhe me serbë. Për këtë ka rezistencë edhe nga pala shqiptare. Kjo do të krijonte probleme serioze për sa i përket përshembull shkollave. Kjo duhet patur parasysh, pasi nuk mund të dërgosh nxënës në të njejtën klasë, edhe sikur ata të jenë në të njejtën ndërtesë për shkak të gjuhëve të ndryshme, prandaj ne kemi propozuar që gjuha angleze të jetë si një alternativë në sistemin shkollor, jo e detyruar por të jetë e pranishme.

XS
SM
MD
LG