Lidhje

Arrihet marrëveshja PD-PS për bashkëpunim në përgatitjen e zgjedhjeve vendore


Maxhoranca dhe opozita arritën në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi për përgatitjen e zgjedhjeve vendore ku parashikohen një seri ndryshimesh në kushtetutë dhe ligje të ndryshme, të cilat besohet se do të rrisin klimën e besimit për një proces zgjedhor të lirë e të drejtë.

Përfaqësues të P.D. në pushtet si edhe të P.S. në opozitë nënshkruan të mërkurën në mbrëmje marrëveshjen ku parashikohet ndryshimi i kushtetutës lidhur me numrin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas marrëveshjes, numri i anëtarëve të K.Q.Z. do të rritet nga 7 në 9. Dy anëtarët e rinj, që do të zgjidhen nga parlamenti, do të jenë propozime të përbashkëta L.S.I. dhe P.D.K. Gjithashtu K.Q.Z. do të ketë, pas kësaj marrëveshjeje, një nënkryetar të opozitës, i cili do të bashkë-kryesojë K.Q.Z, do të përfaqësojë dhe nënshkruajë dokumentet e institucionit së bashku me kryetarin.

Po me shtim të numrit të anëtarëve janë përmbushur edhe pretendimet e opozitës sa i takon këshillave drejtuese të mediave në vend. Sipas marrëveshjes, Këshilli Kommbëtar i Radio-Televizioneve do të zgjerohet nga 5 në 7 anëtarë dhe dy anëtarët e rinj do të propozohen nga opozita, ndërsa Këshilli Drejtues i Radio-Televizionit publik do të shtohet nga 7 në 11 anëtarë, nga të cilët 3 do të propozohen nga opozita dhe një i katërt me mirëkuptimin e palëve.

Edhe për listën e përkohshme të votuesve u gjet një marrëveshje. Ajo do të pastrohet deri më 20 tetor dhe do të pushojë së ekzistuari si e tillë, duke u fshirë referencat e saj në ligjet e vendit. Përfaqësuesit e dy forcave kryesore politike nuk dhanë asnjë koment për gazetarët gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, duke shtuar se çdo deklaratë apo reagim do t'ia linin ditës së sotme.

Negociatat midis maxhorancës dhe opozitës u organizuan nga OSBE dhe BE, në një përpjekje për të zbutur acarimet e skenës politike pas incidenteve në parlament dhe për të hapur rrugën përgatitjes së zgjedhjeve vendore. Për afro një muaj opozita mbeti e qëndrimit të pandryshuar se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet vendore, nëse nuk do të plotësoheshin kërkesat e saj mbi lirinë e mediave, listën e votuesve dhe KQZ.

XS
SM
MD
LG