Lidhje

Kryesia e LDK-së cakton Presidentin Sejdiu si kandidat për kryetar partie


Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, vendosi sot me shumicë votash që kandidat i saj për postin e kësaj partie të jetë presidenti aktual i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Me këtë propozim edhe zyrtarisht filloi fushata për plotësimin e vendit bosh të kryetarit të kësaj partie, pas dorëheqjes që dha nga ky post presidenti i ndjerë i Kosovës Ibrahim Rugova në shkurt të vitit 2005, meqë Korniza Kushtetuese e Kosovës nuk lejon që presidenti të jetë njëkohësisht edhe kryetar partie.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, tha se zoti Sejdiu është kandidat i mundshëm meqë vendimi përfundimtar do të merret në Kuvendin zgjedhor të partisë, i cili sipas paralajmërimeve mund të mbahet në dhjetor të këtij viti. Ai tha se propozimi i kandidatit ishte përmbushje e kërkesave të anëtarësisë së kësaj partie.

“Po ne ishim në njëfarë, si me thanë, ‘fait a compli’ si thonë francezët, do të thotë njëfarë akti i kryer, sepse zoti Daci (Nexhat Daci) ka qe tetë muaj e ca që e bëri fushatën e tij krejt legjitime, ju lutem, të mos keqkuptohemi, ndërsa kryesia nuk e kishte kandidatin e vet. Ne kemi qenë nën një presion krej legjitim nga anëtarësia e jonë që të dalim me një kandidat të mundshëm, gjithmonë të mundshëm”.

Në pranverën e këtij viti ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci është deklaruar se do të jetë kandidat për postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa kandidatura kanë paralajmëruar më herët edhe drejtues të tjerë të kësaj partie.

Vendimi i sotëm i kryesisë së Lidhjes Demokratike është kundërshtuar nga një pjesë e anëtarëve të kësaj kryesie. Adem Salihaj, ish zëvendës kryeministër i Kosovës tha se ky vendim bie ndesh në radhë të parë me vetë statusin e kësaj partie.

“Statuti në mënyrë shumë të qartë thotë se kandidatët për kryetar të LDK-së, propozohen në Kuvendin e LDK-së dhe për mënyrën e votimit vendos Kuvendi. Pra, statuti askund nuk thotë se kryesia si organ ekzekutiv, të kandidojë ose të përkrahë një kandidat të caktuar”, tha zoti Salihaj.

Sidoqoftë, lufta për pasuesin e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova i cili për 16 vjet me radhë ka drejtuar Lidhjen Demokratike, tashmë ka filluar. Zhvilimet brenda kësaj partie që është më e vjetra dhe deri tash më e madhja në Kosovë, sipas vëzhguesve do të pasqyrohen edhe në tërë skenën politike në Kosovë, nëse jo për tjetër, do të ndikojë në fillimin e procesit të profilizimit të partive politike të cilat deri tash më shumë kanë vepruar sipas koncepteve të lëvizjeve politike.

XS
SM
MD
LG