Lidhje

Presidenti Bush pranon ekzistencën e burgjeve sekrete të CIA-s


Presidenti Bush tha se një nga të dyshuarit e transferuar në Gjirin e Guantanamos është Kahlid Sheik Mohammed, numri tre në hierarkinë e al-Kaidës.

Ndër të dyshuarit e tjerë janë Abu Zubajdah, i cili thuhet se ishte ndërlidhës ndërmjet udhëheqësit të al-Kaidës, Osama bin Laden, dhe shumë celulave terroriste, dhe Ramzi Binalshib, i cili mendohet se është stërvitur si një nga rrëmbyesit në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Zyrtarë të lartë të administratës Bush thonë se nuk ka më asnjë të ndaluar që mbahet nga CIA, megjithëse kanë ndër mend ta vazhdojnë këtë program paralel, pasi, thonë ata, marrjet në pyetje nga CIA u kanë siguruar zyrtarëve amerikanë gjysmën e informacionit mbi al-Qaidën.

Në komentet e para, përmes të cilave Presidenti Bush pranoi ekzistencën deri tani sekrete të burgjeve të CIAs, tha para të pranishëmve në një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë se programi ka shpëtuar jetë të panumërta njerëzish përmes shkatërrimit të komploteve terroriste. “Programi ka qenë dhe mbetet një nga mjetet më themelore në luftën tonë kundër terroristëve. Programi është i paçmuar për Amerikën dhe aleatët e saj. Po të mos ishte ky program, agjencitë e zbulimit besojnë se al-Qaida dhe aleatët e saj do të kishin kryer me sukses një sulm tjetër në territorin amerikan”.

Ndërkohë që i burgosuri i findit i CIAs i është dorëzuar Departamentit të Mbrojtjes, Presidenti Bush kërkon që Kongresi të autorizojë ngritjen e komisioneve ushtarake për gjykimin e tyre. “Ne po i paraqesim Kongresit një projekt-ligj për ngritjen e këtyre komisioneve në mënyrë që të garantojë sigurimin e vendit dhe gjykim të drejtë për të akuzuarit. Ndër procedurat e projekt-ligjit që po ia dërgoj sot Kongresit, kihet parasysh fakti që Amerika është në luftë dhe është e rëndësishme të shfrytëzojmë të gjithë provat e besueshme për të gjykuar këta individë”.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi sivjet që komisionet ushtarake janë mënyrë e përshtatshme për gjykimin e të dyshuarve si terroristë, por komisionet duhet të autorizohen nga Kongresi.

Presidenti Bush thotë se ka njoftuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për transferimin e të burgosurve të CIAs. Ai tha se ata do të mund të vizitohen nga Kryqi i Kuq, këshilltarë ligjorë, do të mund të përfitojnë trajtim mjekësor dhe të shfrytëzojnë mjediset e caktuara për lutje fetare në Gjirin e Guantanamos.

Ky njoftim u bë në kuadër të një serie fjalimesh të Presidentit Bush mbi luftën kundër terrorizmit në prag të përvjetorit të pestë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Demokratët e opozitës thonë se Presidenti Bush po e politizon luftën kundër terrorizmit me shpresën se do të mund të ndihmojë anëtarët e partisë së tij në garën e tyre për në kongres në zgjedhjet e nëntorit. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se fjalimet nuk janë politike dhe synojnë informimin e amerikanëve lidhur me një kërcënim serioz, siç është terrorizmi. //az//

XS
SM
MD
LG