Ajo për të cilën pozita dhe opozita ranë dakort në marrëveshjen e arritur dy javë më parë vazhdon të jetë një angazhim i mbetur në letër. Realisht e vetmja e re është që komisioni i reformës zgjedhore po mblidhet por pa mundur deri më sot të arrijë në asnjë vendim. Përkundrazi mosmarrëveshjeve çdo ditë u shtohen elementë të tjerë që përkeqësojnë situatën. Edhe sot komisioni nuk mundi të përcaktojë afatet për hartimin e listave.
Muaji tetor i propozuar nga qeveria konsiderohet si shumë i ngushtë nga opozita, e cila sot ka kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë për heqjen e afatt të vlefshmërisë së certifikatave por edhe rolin monitorues të prefektëve në procesin e përpilimit të listave. Ky është një element që vë në dyshim vullnetin e qeverisë për të patur lista të rregullta deklaroi bashkëkryetari socialist Ben Blushi i cili rolin e prefektit e cilësoi si një tutelë politike:
"Prefekti nuk ka asnjë arsye të fusë duart në listat zgjedhore,. Ky është një uzurpim i kompetencave të pushtetit local i cili ka atributin për të hartuar listat. I kemi kërkuar qeverisë që të heqë prefektin nga listat. Për fat të keq çështja e listave mbetet ende e bllokuar. Unë do uroja të mos ktheheshim sërish tek kjo pikë, nga regjistri i përkohshëm te roli i prefektit", tha Blushi.
Por bashkëkryetari demokrat Bujar Nishani akuzon se në të vërtetë sipas tij janë socialistët që po ngrenë pengesa artificiale:
"Prefekti nuk ka asnjë lloj roli tjetër përvecse atij që i jep ligji, të drejtën e monitorimit të një procesi administrative, pra thjesht monitoron një proces administrativ. Komisioni I posacëm në respekt të marrëveshjes duhet të përmbushë detyrimin e tij, miratimin e aktit ligjor për fillimin e punës për hartimin e listave. Kjo nuk I intereson përfaqësuesve të PS. Kanë vetëm një qëllim të shtyjnë zhvillimin e zgjedhjeve", u shpreh Nishani.
Përtej akuzave të ndërsjella, i vetmi fakt konkret është se përditë koha kalon dhe reforma zgjedhore vazhdon të mbetet në vend numëro.