Lidhje

Një zyrtare e lartë amerikane siguroi serbët e Kosovës për garantimin e të drejtave të tyre pavarësisht se cili do të jetë statusi


Një zyrtare e lartë amerikane i siguroi sot serbët e Kosovës se pavarësisht se cila do të jetë zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, të drejtat e tyre do të jenë të garantuara dhe të mbikqyrura nga bashkësia ndërkombëtare. Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit Rosemary Di Karlo, e cila i bëri këto komente në Zvecan, në pjesën veriore të Kosovës, shoqërohej nga përfaqësuesi i lartë evropian Stefan Lehne, i cili nënvizoi se rreth 95 përqind e negociatave të Vjenës kanë qenë për interesat e komunitetit serb në Kosovë.

Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit Rosemary Di Karlo siguroi sot serbët në veriun e Kosovës se të drejtat e tyre në Kosovë do të jenë të garantuara pavarësisht se cili do të jetë statusi I Kosovës.

“Dua t’ju siguroj se pavarësisht se cili do të jetë statusi i Kosovës, komuniteti ndërkombëtar do të sigurojë që çdo nen i marrëveshjes të mbrojë të drejtat e të gjithë komuniteteve në Kosovë, që autoritetet lokale do të kenë të drejtën për të qeverisur veten për të mbrojtur të drejtat dhe kulturat e qytetarëve të tyre”.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Stefan Lehne, iu shpjegoi serbëve të veriut, se komuniteti ndërkombëtar do të mbikqyrë zbatimin e marrëveshjes për statusin e Kosovës dhe në vecanti zbatimin e neneve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.

“Rreth 95 përqind e këtyre negociatave kanë qenë për interesat e komunitetit serb në Kosovë. Cështja që është diskutuar më së shumti është ajo e decentralizimit. Për fat të keq nuk kemi pasur një marrëveshje përfundimtare për këtë cështje, por kemi pasur një kthim të rëndësishëm të pikëpamjeve në cështjet kyce. Decentralizimi do të thotë që komuniteti serb në Kosovë mund të jetojë jetën e vet, të vendosë për jetën e vet, që komunat me shumicë serbe mund të bashkëpunojnë sic dëshirojnë, se ato mund të zhvillojnë marrëdhëniet me Beogradin që janë të nevojshme për qytetarët e tyre, që tani ka garanci për mbrojtjen e karakterit të komunitetit të tyre. Ia kemi bërë të qartë kryetarit të komunës së bashkësia ndërkombëtare do të mbajë një prani mjaft aktive në Kosovë pas statusit, përparësitë do të jenë që nenet e marrëveshjes, në veçanti ato që garantojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, të zbatohen në mënyrë korrekte. Bashkësia ndërkombëtare ka fuqi të madhe për të garantuar që marrëveshja do të zbatohet në mënyrë korrekte”.

Kryetari i komunës së Zvecanit, Dragisha Millovic, theksoi se përfaqësuesit serbë theksuar pikëpamjet e tyre për gjendjen aktuale dhe për të ardhmen. “Lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, ne dëshirojmë që zgjidhja të arrihet pa imponim, të arrihet me kompromis, duke respektuar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”. Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit, Rosemary Di Karlo përfundon sot vizitën e saj dy-ditëshe në Kosovë, gjatë së cilës u takua me udhëheqësit në vend dhe vizitoi pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. //kk//

XS
SM
MD
LG