I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën Marti Ahtisari nuk do të paraqesë rekomandimin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës, gjatë raportimit që do të bëjë këtë javë në Këshillin e Sigurimit. Zëdhënësja e zotit Ahtisari, Huan Jang i tha sot Zërit të Amerikës, se ndryshe nga sa është njoftuar në shtyp, zoti Ahtisari nuk do të paraqesë të ashtuquajturin "dokument për zgjidhjen e statusit".
Megjithatë zonja Jang tha se veç raportimit për ecurinë e deritanishme të procesit, zoti Ahtisari do të parashtojë edhe mendimet e tij, se si do të ecet në muajt e ardhshëm, deri në fund të vitit. Zonja Jang nuk dha hollësi të mëtejshme. Mandati i misionit të zotit Ahtisari përfundon në fund të vitit, por mund të zgjatet nga Grupit të Kontaktit. Lidhur me bisedimet e Vjenës, zonja Jang, tha se, dera për to është ende e hapur, por vetëm në se palët tregojnë shenja kompromisi.
Për sa kohë qe asnjera palë nuk tregon gadishmëri për lëshime, tha zëdhënësja, nuk do të ketë bisedime për hir të bisedimeve.