Lidhje

SHBA: Administrata dhe Senatorë republikanë arrijnë marrëveshje mbi trajtimin e të ndaluarve për terrorizëm


Administrata e Presidentit Bush dhe republikanët në Senat kanë arritur një marrëveshje për një ligj lidhur me mënyrat se si Shtetet e Bashkuara duhen t’i trajtojnë dhe gjykojnë personat e dyshuar për terrorizëm.

Presidenti Bush, gjatë udhëtimit për në Florida, vlerësoi marrëveshjen e arritur e cila, siç tha ai, do të ruante programin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, për të marrë në pyetje persona të dyshuar dhe për të ngritur komisione ushtarake për t’i sjellë këta persona para drejtësisë: "Marrëveshja do të realizojë atë që populli amerikan pret nga ne, kapjen e terroristëve, ndalimin dhe marrjen në pyetje e më pas gjykimin e tyre."

Një javë më parë, Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura kishte hedhur poshtë planin e administratës për trajtimin e personave të ndaluar, duke thënë se do të minonte Konventën e Gjenevës, e cila kërkon trajtimin njerëzor të të dyshuarve, si dhe do të lejonte keqtrajtimin e të ndaluarve dhe procese të padrejta gjyqësore ndaj tyre.

Komisioni miratoi një plan alternativ të paraqitur nga një grup senatorësh me peshë, ndër të cilët kryetari i këtij komisioni, Senatori John Warner dhe ish-i burgosuri i luftës, senatori John McCain. Ky plan parashikon të drejta më të mëdha për të ndaluarit.

Të shqetësuar se Partia Republikane po dukej e përçarë lidhur me këtë çështje të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit, vetëm 6 javë para zgjedhjeve për në Kongres, Shtëpia e Bardhë dhe këta senatorë republikanë me peshë zhvilluan për ditë me radhë negociata intensive, të cilat çuan në marrëveshjen e arritur të enjten.

Senatori John McCain shprehu kënaqësi për marrëveshjen e arritur: "Marrëveshja që kemi arritur i jep Presidentit mjetet e nevojshme për të vazhduar luftën kundër terrorizmit dhe për t’i sjellë këta njerëz të ligj para drejtësisë. Nuk ka asnjë dyshim që integriteti dhe shpirti i Konventave të Gjenevës është respektuar."

Këshilltari për Sigurimin Kombëtar Stephen Hadley tha në një konferencë për shtyp se marrëveshja do të kufizonte në një farë mase mundësitë e personave të dyshuar për të pasur qasje tek dokumente sekrete. Kjo ka qenë një çështje me rëndësi për kryrtarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Armatosura, ligjëvënësin Duncan "Hunter Jemi të shqetësuar më së shumti për të dhënat sekrete, mënyrën sesi shfrytëzohet ky informacion për të gjykuar të pandehurit në këtë luftë të re kundër një armiku të një lloji të ri."

Marrëveshja po shqyrtohet tani nga të dyja Dhomat e Kongresit dhe pritet që të hidhet në votë së shpejti. Projekt-ligji paraqitet në përgjigje të një vendimi këtë vit nga Gjykata e Lartë, e cila hodhi poshtë planin për ngritjen e komisioneve ushtarake nga administrata për gjykimin e personave të dyshuar, duke thënë se këto komisione nuk përputheshin me ligjin amerikan dhe nuk respektonin Konventat e Gjenevës.

XS
SM
MD
LG