Lidhje

Popullsia e Shteteve të Bashkuara i afrohet 300 milionëshit


Në muajin tetor popullsia e Shteteve të Bashkuara parashikohet të arrijë në 300 milion banorë, duke e bërë atë popullsinë më të madhe të botës pas Kinës dhe Indisë. Por disa analistë thonë se rritja e popullsisë së Amerikës, kryesisht rezultat i imigracionit, mund të ndryshojë faqen e vendit. Në materialin e mëposhtëm u hidhet një vështrim sfidave me të cilat përballet Amerika ndërsa bëhet gjithnjë e më shumë një shoqëri me shumë kultura.

Shtimi i popullsisë së Amerikës me 20 milion banorë gjatë 6 vjetëve të fundit, sipas statistikave të Zyrës amerikane për regjistrimit e popullsisë, është rezultatit si i lindjeve ashtu edhe vërshimit të imigrantëve. Shkalla vjetore e lindjeve prej rreth 1 për qind përbën 60 për qind të rritjes së popullsisë, ndërkohë që 40 për qindëshi tjetër ka ardhur nga imigracioni.

Demografi William Frey i Institutit Brookings këtu në Washington thotë se rritja e popullsisë është një moment historik për Amerikën. “Ky numër jo vetëm që na bën një prej vendeve me popullsi më të madhe, por rritja e popullsisë tregon gjithashtu se njerzit që bëjnë të mundur arritjen e popullsisë së Amerikës në 300 milion banorë janë nga pjesë të tjera të botës, si Amerika Latine dhe Azia. Ne nuk do të kishim arritur në këtë pikë kaq shpejt në se nuk do të kishin arrdhur gjithë këta imigrantë.” Rreth 2 e treta e popullsisë është e bardhë, në krahasim me 70 përqind që ishte në fillim të dekadës.

Demografi Frey dhe shumë ekspertë të tjerë thonë se përqindja e popullsisë së bardhë jo-hispanike do të bjerë edhe më shumë, ndërsa më shumë imigrantë vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe brezi i lindur pas luftës së dytë botërore vashzhdon të plaket. Shkalla mesatare e lindjeve tek popullata e bardhë jo-hispanike është gati 2 fëmijë për grua, krahasuar me gati 3 fëmijë për grua mes të bardhëve hispanikë. Këto prirje thotë demografi Mark Mather do të çojnë në ndryshime të mëdha demografike. “Asnjë vend tjetër nuk ka përjetuar ndryshime si Amerika në përbërjen etnike. Shumë demografë mendojnë se deri në vitin 2050 kategoritë racore dhe etnike nuk do të kenë kuptim sepse shoqëria amerikane do të jetë tepër e përzjerrë, sa që këto kategori nuk do të ekzistojnë në format e rregjistrimit të popullsisë.”

Shumë analistë janë skeptikë rreth përfitimeve të prirjeve të tanishme të popullsisë. Ata vënë në pikpyetje në se ekonomia amerikane mund të krijojë vende të mjaftueshme pune. Analistë të tjerë thonë se shumë imigrantë po hyjnë në Shtetet e Bashkuara për t’u asimiluar nga shoqëria. Demografi William Johnson pranë Institutit të Popullsisë, thotë se imigracioni e forcon Amerikën në se mbahet nën kontroll. “Amerika ka evoluar gjatë historisë së saj dhe migracioni ka qënë një zhvillim pozitiv. Njerzit kanë ardhur në Amerikë dhe janë asimiluar në shoqëri. Në se kjo nuk ndodh dhe krijohen ndarje kulturash, atëhere do të ishte vështirë të parashikohej e ardhmja e këtij vendi.”

Parashikimet e fundit të Zyrës së Rregjistrimit të Popullsisë tregojnë se pakicat etnike tani përbëjnë 1 të tretën e popullsisë së Amerikës dhe brënda dekadës së ardhshme kjo shifër do të jetë 40 përqind. Popullata e bardhë jo-hispanike është tani pakicë në Havai, New Meksiko, Tekas, Kalifornia dhe në kryeqytetin amerikan, Washington.

Demografi Joseph D’Agostino i Institutit për Kërkimin e Popullatës, thonë se shqetësimet lidhur me ndryshimet e përbërjes demografike dhe kulturore të vendit janë legjitime. “Shumë njerëz mendojnë se numri i imigrantëve që vijnë në Amerikë është i madh ose ata nuk asimilohen në shoqëri. Një numër i madh amerikanësh në qytete të mëdha përballen me njerëz që nuk flasin anglisht. Në se njerzit nuk komunikojnë me njeri tjetrin me një gjuhë, në afat të gjatë do të jetë e vështirë të krijohet një shoqëri e bashkuar. Ky është një problem i madh që mund të çojë në ballkanizimin e Shteteve të Bashkuara gjatë një periudhe të gjatë.”

Por shumë analistë thonë se shqetësime të tilla nuk kanë bazë. Ata thonë se Amerika ka asimiluar me sukses imigrantët në të kaluarën dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sipas parashikimeve demografike, popullsia e Shteteve të Bashkuara do të arrijë në 400 milion deri në vitin 2050. Në se prirjet e tanishme të popullatës vazhdojnë, shumica e analistëve janë të një mendimi se Amerika do të jetë një vend etnikisht krejt ndryme. //rd//

XS
SM
MD
LG