Lidhje

Presidenti Bush takohet me presidentin afgan në Uashington


Presidenti Bush zhvilloi sot një takim me Presidentin afgan Hamid Karzai në Uashington. Pas takimit, presidenti amerikan tha se qeveria afgane dhe ajo pakistaneze kanë një interes të përbashkët në luftën kundër terrorizmit.

Nesër zoti Karzai do të jetë përsëri i ftuar në Shtëpinë e Bardhë për një darkë me Presidentin pakistanez Pervez Musharaf për të diskutuar mbi divergjencat mes dy vendeve lidhur me veprimet terroriste në të dyja anët e kufirit.

Dy udhëheqësit e Azisë Jugore kanë fajësuar njëri-tjetrin si përgjegjës për sulmet e vazhdueshme ndaj forcave të koalicionit në Afganistan.

Pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë sot, Presidenti Bush dhe zoti Karzai thanë në një konferencë të përbashkët për shtyp se të tre udhëheqësit po punojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Presidenti Bush tha se Talebani dhe al-Kaida po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e Presidentit Karzai pasi e kuptojnë se demokracia në Afganistan do t’ua bëjë më të vështirë të ndërmarrin sulme gjetkë.

Zoti Karzai shprehu mirënjohje ndaj Presidentit Bush dhe popullit amerikan për ndihmën që i kanë dhënë vendit të tij. Ai tha gjithashtu se e mirëpret armpushimin e kohëve të fundit të arritur ndërmjet qeverisë pakistaneze dhe ekstremistëve pro-talebanë në rajonin pakistanez rajon nën autoritetin fisnor. Ai tha se si Kabuli ashtu edhe Islamabadi e kanë të qartë se problemi qëndron në ekstremistët islamikë, të cilët po stërvisin terroristë në medrese.

Presidenti Bush tha se do të jetë interesante të shohësh mimikën dhe reagimet e tjera jo-verbale që do të bëjnë Gjenerali Musharaf dhe zoti Karzai gjatë takimit të tyre.

XS
SM
MD
LG