Lidhje

Kosovë: Fried takon përfaqësues të komuniteteve


Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro Azinë, Daniel Fried tha sot se Kosova duhet të jetë e bashkuar dhe një shoqëri shumetnike ku do të kenë vend të gjitha komunitetet e saj. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në qytetin e ndarë të Mitrovicës ku u takua me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës dhe vizitoi një kamp të banorëve romë të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në fund të luftës në Kosovë.

Zoti Fried tha se qytetarët e Kosovës meritojnë qartësinë e të ardhmes së tyre, sepse kanë kaluar shtatë vjet nga përfundimi i luftës dhe kjo është periudhë mjaft e gjatë. Grupi i Kontaktit është pajtuar për një zgjidhje të negociuar gjatë këtij viti, theksoi ai “Nuk mund të kthehemi prapa dhe nuk mund të qëndrojmë këtu ku jemi. A mendoni se Kosova në shtatë vitet e kaluara ka arritur aq suksese sa që do të dëshironit të vazhdonit kësisoj", tha zoti Fried, duke nënvizuar se duhet ecur përpara drejt statusit të Kosovës i cili duhet të përfshijë mekanizmat për të mbrojtur dhe respektuar komunitetet e Kosovës. “Komuniteti serb qoftë në jug të lumit Ibër apo në veri të tij duhet të jetë pjesë e ardhmërisë së Kosovës përgjithmonë”, tha zoti Fried duke u bërë thirrje përfaqësuesve të serbëve që të jenë pjesë e institucioneve dhe të punojnë për kushte më të mira për të gjitha komunitetet. “Nuk besojmë në ndarjen e Kosovës, por besojmë në decentralizimin e pushtetit në mënyrë që njerëzit të kenë kontroll mbi jetën e tyre të përditshme”, tha zoti Fried duke nënvizuar se decentralizimi nuk dobëson por forcon dhe e bënë më funksional një vend.

Komuniteti serb një komunitet historik, duhet të jetë pjesë e ardhmërisë së Kosovës pavarësisht çfarë do të jetë ajo, tha zoti Fried. Drejtuesi i Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë Oliver Ivanoviq, tha se mbijetesa e komunitetit serb varet nga puna e institucioneve vendase e posaçërisht angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare.“Ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Grupit të Kontaktit mund të garantojë mbijetesën e serbëve në Kosovë pavarësisht se çfarë do të jetë statusi i saj”, tha ai duke shprehur bindjen se statusi duhet të jetë zgjidhje e kompromisit, që do të kënaqte të dyja palët. Ai shprehu brengosjen për aktet e dhunës duke bërë thirrje që institucionet e Kosovës pos deklaratave të mira të marrin masa konkrete për mbrojtjen e serbëve. Diplomati amerikan u dha fund takimeve intensive, duke nënvizuar se komuniteti ndërkombëtarë do të mbetet i pranishëm në Kosovë për të zbatuar zgjidhjen e statusit të saj.

Vizita e tij në Mitrovicë, që është simbol i ndarjeve etnike në Kosovë, përkoi me vendimin e autoriteteve për të rihapur urën kryesore mbi lumin Ibër që shënon vijën ndarëse të qytetit. Forca të mëdha të sigurisë patrullojnë në zonë për të parandaluar veprime të cilat quan në mbylljen dhe hapjen e urës për disa herë me radhë vetëm gjatë një muaji. Zoti Fried tha sot se patriotët nuk janë nacionalistë, ata që sulmojnë pakicat nuk janë patriotë por qyqarë, duke bërë thirrje kundër çdo forme të dhunës në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG