Lidhje

Zgjedhjet vendore në Hungari, provë për qeverinë Gyrscany


Zgjedhjet vendore në Hungari shihen si një provë e mbështetjes për kryeministrin i cili ka qënë nën një trysni të madhe për të dhënë dorëheqjen pas zbulimit të deklaratave të tij muajin e kaluar se kishte gënjyer publikun rreth ekonomisë. Opozita e qendrës së djathtë kërkon që zgjedhjet vendore të shërbejnë si një referendum për legjitimitetin e qeverisë së udhëhequr nga socialistët.

Zgjedhjet e sotme bashkiake, pasojnë dy javë protestash disa herë të dhunshme anti-qeveritare që filluan pasi kryeministri Ferenc Gyurcsany pranoi të kishte gënjyer rreth gjendjes së ekonomisë. Komentet e tij në një takim të partisë socialiste u nxorrën nga media hungareze, duke shkaktuar trazira. Zoti Gyurcsay ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen dhe kundërshtoi nocionin se zgjedhjet lokale do të konsiderohen si referendum për qeverinë e tij. Disa anketa të opinionit publik tregojnë se një pjesë e vogël e votuesve janë dakort që kryeministri të mos japë dorëheqjen. Analistët thonë se qeveria e drejtuar nga socialistët pritet të humbasë në zonat rurale, por humbja do të jetë më e pakët nga ajo që ka sygjeruar opozita.

Zoti Gyurcsany ka thënë se do të vazhdojë zbatimin e programit të tij për rritjen ekonomike, që synon pakësimin e buxhetit të lartë të Hungarisë, më i larti mes vendeve të Bashkimit Evropian. Një pensioniste thotë përmes përkthyesit se ajo dhe bashkëshorti i saj mbështesin qeverinë: "Kur tha se gënjeu nuk e kishte me atë kuptim por se të gjithë politikanët dhe partitë gënjejnë popullin. Ai pranoi se kishte gënjyer, dhe ne mendojmë se kjo tregon ndershmëri, nuk na shqetëson pasi ai do tani të bëjë gjëra të mira për Hungarinë dhe ne duhet t’i japim shansin ta përfundojë punën që ka nisur”.

Për shkak të heshtjes së detyruar të fushatës sot, protestuesit që mbledheshin çdo ditë para parlamentit gjatë dy javëve të fundit nuk u lejuan të demonstronin, por u mblodhën pas mbylljes së qendrave të votimit për muzikë dhe për të ngrënë. Shumë janë përkrahës të partisë opozitare Fidesz, më e madhja e qëndrës së djathtë në Hungari. Duke folur përmes përktheysit, 52 vjeçari Viktor tha se rezultati i votimit do të tregojë në se qeveria është ende e ligjshme. "Mendoj se mund ti vlerësojmë zgjedhjet si një referendum". Por ai tha se nuk është i sigurtë nëse dikush në qeveri mund të kapërcejë vështirësitë ekonomike të Hungarisë. //rd//

XS
SM
MD
LG