Lidhje

Mënyra të reja kundër diabetit: Aspirina parandalon zmadhimin e prostatit


Disa mënyra të reja për trajtimin e diabetit

Miliona vetë në mbarë botën kanë diabet ose janë në rrezik të preken prej tij. Diabeti është një sëmundje që mund të shkaktojë mos funksionim të veshkave, verbim e madje vdekje. Persona me nivele paksa të larta sheqeri në gjak mund të preken nga diabeti pa e ditur. Kështu ndodhi me Karlos Uarton, që e kuptoi se ishte prekur nga kjo sëmundje kur u bë thuajse i verbër. Ai thotë se nuk pati asnjë shenjë paralajmëruese. Simptomat e diabetit u shfaqën papritur.

Por kohët e fundit, shkencëtarët zbuluan se ilaçi Avandia që përdoret për trajtimin e diabetit mund të ndihmojë për parandalimin e prekjes nga kjo sëmundje. Mjekja Robin Goland pranë qëndrës mjekësore të universitetit Kolumbia në Nju Jork thotë se parandalimi i diabetit është shumë i rëndësishëm po të kihen parasysh dhimbjet dhe komplikacionet që sjell diagnostikimi i vonë të kësaj sëmundjeje.

Sipas të dhënave, personat që marrin çdo ditë ilaçin Avandia janë 60 përqind më pak në rrezik të preken nga diabeti, në krahasim me pacientët me rrezik të lartë diabetik që nuk marrin këtë ilaç.

Një tjetër trajtim është nëpërmjet thithjes së insulinës në formë pluhuri që quhet Exubera, e cila thithet nëpërmjet gojës ne mushkëri dhe shpërbëhet me shpejtësi në gjak. Xhemi Vilastrigo thotë se Exubera e ndihmon atë të mbajë sheqerin në gjak në nivele normale. Marrja e insulinës në formë pluhuri është më e lehtë sesa ajo me inxheksion.

Exubera prodhohet nga firma Pfizer, e cila thotë se ky ilaç nuk duhet të përdoret nga njerëzt që pijnë duhan ose që vuajnë nga sëmundje të mushkërive. Por Exubera mund të përdoret nga personat me diabet që nuk pijnë duhan edhe nëse ata janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit ose kanë kaluar ndonjë të ftohtë. Exubera mund të përdoret vetëm ose edhe në kombinim me ilaçe të tjera kundër diabetit.

Në një tjetër zhvillim në këtë fushë, shkencëtarët kanadezë kanë arritur në përfundimin se nëse marrin qeliza pankreasi nga një person i shëndetshëm dhe i transplantojnë ato tek pacientët me diabet, disa prej këtyre pacientëve çlirohen nga nevoja e marrjes së përditëshme të insulinës për një ose dy vjet.

Shkencëtarët thonë se kjo medotë kirurgjike mund të ndihmojë disa pacientë me diabet tek të cilët sëmundja është vështirë të vihet nën kontroll.

Aspirina parandalon zmadhimin e prostatit

Shkencëtarët duket se kanë gjetur një tjetër arsye për marrjen e përditëshme të aspirinës

Një studim i ri lë të kuptohet se ilaçet jo steroidale dhe kundër temperaturës si aspirina ose Ibuprofen mund të parandalojnë ose vonojnë zmadhimin e prostatit. Kjo sëmundje e quajtur Bening Prostatic Hyperplasia shkakton shrregullime në sistemin e urinimit tek të moshuarit. Nga kjo sëmundje preken rreth 25 përqind e burrave mbi 40 vjeç.

Gjatë studimit ku morrën pjesë 2500 burra, u vu re se ata që përdorinin rregullisht aspirina ishin 50 përqind më pak në rrezik për t’u prekur nga zmadhimi i prostatit.

Megjithatë shkencëtarët nuk janë të sigurt se në ç’mënyrë ndihmon aspirina në këtë drejtim dhe vënë në dukje se aspirina dhe ilaçe të tjera të ngjashme kanë edhe efekte anësore, prandaj është e nevojëshme këshillimi me mjekun para përdorimit të tyre.

XS
SM
MD
LG