Lidhje

SHBA: Udhëheqës republikanë perpiqen të kontrollojnë dëmin nga skandali seksual


Udhëheqësit republikanë po përpiqen të kufizojnë pasojat politike të njoftimeve sipas së cilave një ish anëtar i Kongresit u kishte dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje seksuale nxënësve të shkollave të mesme që kryejnë disa detyra në Kongres. Skandali që ka në qendër ish-anëtarin republikan të Kongresit Mark Foley vjen vetëm pesë javë para zgjedhjeve të rëndësishme për Kongresin.

Republikani Mark Foley dha papritur dorëheqjen të premten pas njoftimeve në media për mesazhe elektronike me përmbajtje seksuale që u kishte dërguar djemve të rinj që punonin në Kongres.

Një zëdhënës i FBI-së tha të dielën se po hetohet nëse zoti Foley ka shkelur ligje federale. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Dennis Hastert i ka dërguar një letër Departamentit të Drejtësisë ku bëhej thirrje për një hetim për sjelljen e Foley-t me të rinjtë që punojnë aktualisht, apo kanë punuar në Kongres. “Të gjithë ata që ishin në dijeni të këtyre mesazheve duhet të kishin informuar autoritetet menjëherë në mënyrë që këta fëmijë të ishin të mbrojtur”.

Udhëheqës Republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se kishin dijeni që prej disa muajsh për mesazhet që Foley i kishte dërguar një të riu që punonte në Kongres në vitin 2005, por thonë se nuk e dinin që ato kishin përmbajtje seksuale. Sipas njoftimeve mesazhet kishin filluar që në vitin 2003.

Skandali ndodh vetëm pesë javë para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin. Udhëheqës demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat po akuzojnë udhëheqësit republikanë se e kishin mbuluar skandalin për të ruajtur shumicën në Kongres.

Demokrati Tim Mahoney po konkurron për vendin e Foleyt në Kongres në shtetin e Floridës. “Duket se më shumë rëndësi për ta kishte që të ruanin një vend në Kongres, të ruanin pushtetin sesa të kujdeseshin për fëmijët”.

Foley ishte bashkëkryetar i një komisioni të Kongresit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi seksual. Matthew Loraditch që ka qenë ndër të rinjtë që punojnë në Kongres thotë se dikush që merrej me programin e tyre e kishte paralajmëruar disi. “Ishte një këshillë për të pasur kujdes dhe për të mos u gënjyer nga fakti që ai sillej mirë. Më tha që ai nuk ishte njeri i keq por pak i çuditshëm”.

Avokati i Foleyt thotë se ish-kongresmeni është futur në një qendër për rehabilitimin nga alkoolizmi dhe e pranon përgjegjësinë për veprimet e tij. //ad//

XS
SM
MD
LG