Lidhje

Video e Bin Ladenit dhe e dy rrëmbyesve të sulmeve të 11 shtatorit


Një video e Osama bin Ladenit dhe dy rrëmbyesve të 11 shtatorit që u sigurua nga gazeta Sunday Times e Londrës i tregon ata në Afganistan në vitin 2000. Rrëmbyesit Ziad Jarrah dhe Mohammed Atta shihen duke buzëqeshur dhe duke folur para kameras në një mënyrë shumë normale, siç thotë një ekspert në psikologjinë e terrorizmit.

Data që duket në video 8 janar 2000 nuk mund të vërtetohet, por duket të jetë bërë para se rrëmbyesit të rruanin mjekrat e tyre para sulmeve të 11 shtatorit. Videoja që zgjat një orë nuk ka zë. Në të ka imazhe të Osama bin Ladenit duke folur në Afganistan para një audience prej rreth 100 anëtarësh të al-Kaidës, disa prej të cilëve kishin sjellë fëmijët me vete. Po ashtu aty përfshihen pamjet e vetme të njohura të rrëmbyesve të 11 shtatorit Mohammed Attah dhe Ziad Jarrah së bashku.

Të dy ata shfaqen duke bërë shaka dhe duke qeshur ndërsa bëhen gati të lexojnë deklaratat e tyre, mesa duket testamentet e tyre para kameras. Mohammed Atta, kreu i rrëmbyesve pilotoi avionin e shoqërisë ajrore American Airlines, i pari që u përplas me Qendrën Botërore të Tregëtisë. Ziad Jarrah besohet se drejtoi avionin e United Airlines që ra në Pensilvani pa arritur të godasë objektivin e vet. Ajo që bie në sy më shumë me videon është sesa të qetë dhe me humor duken të dy burrat në video. Jerrold Post, profesor në Universitetin George Washington thotë se arsyeja është që terroristët janë në fakt psikologjikisht normalë. “Një nga aspektet më befasuese lidhur me psikologjinë e terroristëve është se si individë, kjo është një sjellje normale. Në fakt grupet terroriste i dëbojnë, ose nuk i pranojnë fare njerëzit e paqendrueshëm emocionalisht. Pra çështja nuk është tek ana psikologjike e individit, por tek psikologjia kolektive. Çfarëdo që udhëheqësi i tyre Osama bin Laden thoshte se duhej bërë ata e bënin edhe nëse madje veçanërisht nëse kërkonte të jepnin jetën për kauzën”. Dr. Post thotë se në kasetë të dy rrëmbyesit shfaqen si njerëz të zakonshëm, jo si renegatë. “Ne do të donim të besonim që këta janë fanatikë të çmendur në prag të një psikoze. Nuk është e vërtetë. Kjo është norma. Në fakt ndërsa po bëja një studim duke intervistuar terroristë të burgosur nga Lindja e Mesme kur i pyetëm “çfarë ju bëri që të bashkoheshit me këtë lëvizje”, ata na panë të habitur. Të gjithë e bënin një gjë të tillë dhe do të ishte për t’u habitur nëse nuk futeshin”.

Dr. Post thotë se ideologjia e terrorizmit është rrënjosur kaq shumë saqë do të duhen shumë vjet që të realizohen ndryshime, edhe me politikat më të zgjuara.Gazeta Sunday Times e Londrës tha se i kishte marrë në dorë videot e rrëmbyesve përmes një kanali të përdorur edhe më parë. Gazeta tha se burimet nga al-Kaida dhe Shtetet e Bashkuara e kanë konfirmuar vërtetësinë e saj, por se specialistët nuk kanë arritur të përcaktojnë se çfarë thuhet në kasetë.//rd//

XS
SM
MD
LG