Lidhje

Interneti dhe mjekësia: Gjaku artificial


Interneti dhe mjekësia

Miliona konsumatorë bëjnë kërkime në internet për informacione apo këshilla mjekësore. Disa faqe kompjuterike ofrojnë edhe blerje ilaçesh pa recetë nga mjeku. Por një veprim i tillë mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin.

Kohët e fundit një revistë e njohur mjekësore njoftoi rreth një rasti në Britani ku një grua ballafaqohet me verbim pas përdorimit të ilaçeve që kishte blerë nëpërmjet internetit për të trajtuar një sëmundje që ajo mendonte se e kishet. Pasi lexoi informacionin mjekësor në internet, gruaja 64 vjeçare diagnostikoi veten me sindromën e lodhjes kronike.

Në vend që të këshillohej me mjekun rreth kësaj çështjeje, ajo vazhdoi kërkimet në internet dhe bleu steroide nga një farmaci kompjuterike në Tailandë. Por ajo nuk e dinte se steroidet kanë edhe efekte anësore. Ato mund të shkaktojnë probleme të rënda në sy.

Ajo vazhdoi të blente dhe t’i përdorte steroidet për 4 vjet me radhë. Mjeku i saj nuk dinte asgjë, derisa pacientja shkoi për vizitë duke u ankuar se nuk shikonte. Mjeku e vizitoi dhe e diagnostikoi me glaukome dhe katarakt, gjendje që mund të shkaktojnë verbim.

Interneti mund të jetë i mirë dhe i keq për shëndetin, prandaj duhet treguar kujdes. Agjencia amerikane e ushqimeve dhe ilaçeve ka vendosur në faqen e saj elektronike udhëzime dhe paralajmërime për të ndihmuar konsumatorët që të veprojnë me urtësi. Për këshilla serioze mjekësore, mjeku është gjithmonë më i mirë sesa interneti.

Gjaku artificial

Shkencëtarët në laboratorin Hemobio Tek në Teksasin verior po punojnë për prodhimin e gjaku sintetik, mostra të të cilit janë dërguar për provë në disa qëndra mjekësore jashtë vendit. Ata thonë se së shpejti ky lloj gjaku pritet të fillojë të përdoret në klinika e qëndra spitalore në Shtetet e Bashkuara.

Gjaku artificial është prodhuar nga një modifikim i hemoglobinës dhe mund të përdoret për të zëvendësuar të gjitha grupet e gjakut, si dhe mund të ruhet apo konservohet për një kohë më të gjatë sesa gjaku natyral.

Ekspertët thonë se zhvillimi i gjakut sintetik do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e dhënies së ndihmës së shpejtë duke shpëtuar shumë jetë njerëzish. Megjithatë përdorimi i tij është i kufizuar.

Doktor Arthur Bollon thotë se pa dyshim kjo është një arritje e madhe. Ky gjak mund të përdoret në raste traumash, operacionesh, kanceresh dhe sëmundje të zemrës.

Ndërsa doktor Merlin Sejers thotë se gjaku i njeriut është i pazëvënësueshëm dhe kurrë nuk mund të zëvëndësohet plotësisht me gjakun artificial.

Gjaku sintetik mund të transportojë oksigjenin në organizëm, që është një funskion i rendësishëm, por këtë mund ta bëjë vetëm për një periudhë të shkurtër kohe. Doktor Sejers thotë se ka shumë të ngjarë që përdorimi i gjakut artificial do të shpëtojë shumë jetë njerëzish, veçanërisht në raste aksidentesh të rënda me makinë. Në raste të tilla, transfuzioni i gjakut mund të bëhet në vendin e aksidentit, duke i dhënë të aksidentuarit gjak artificial për t’a mbajtur gjallë derisa të mbrijë në spital ku ndihma është më efektive dhe gjaku natyral i konservuar është i pranishëm.

XS
SM
MD
LG