Lidhje

Fond i qeverisë amerikane për zhvillimin mjekësor në Kosovë


Zyra për çështje arsimore e kulturore pranë Departamentit amerikan të Shtetit caktoi një fond prej 850 mijë dollarësh për fondacionin për zhvillim mjekësor të Kosovës, një organizatë jofitimprurëse me bazë të Ankorage të shtetit Alaska.

Fondi i caktuar nga Departamenti i Shtetit është planifikuar të përdoret për zbatimin e një projekti 2 vjeçar për telemjekësinë, përhapjen e teknologjisë së përparuara dhe për shkëmbime kulturore në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Ballkan.

Nëpërmjet këtij projekti, 44 mjekë infermjerë e teknikë profesionistë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria do të vijnë në Shtetet e Bashkuara për arsimim dhe përgatitje në fushën e tele mjekësisë dhe në administrimin e librarive elektronike. Këto kurse do të kryehen pranë Universitetit të Arizonës në Tuson dhe në Anchorage të Alaskës. Ato do të drejtohen nga një grup prej 16 ekspertësh amerikanë në fushën e mjekësisë, të cilët do të organizojnë seminare dhe veprimtari të tjera edukative e kulturore në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe, kursantët do të përgatiten për përdorimin e tele mjekësisë në Kosovë ku përfshihen 6 spitale të këtij rajoni.

Çdo spital rajonal është pajisur me 10 kompjutra për shfrytëzimin e librarive mjekësore elektrionike. Projekti i tele mjekësisë kryesohet nga doktor Rifat Latifi, profesor i kirurgjisë pranë universitetit të Arizonës në Tuson.

Partneri kryesor vendor i këtij projekti është qëndra për telemjekësinë në Kosovë me bazë në Prishtinë. Kjo nismë është fryt i një bashkëpuni të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, Qëndrën klinikale të Universitetit të Kosovës, Fakultetin e Mjekësisë dhe me të gjitha spitalet rajonale.

XS
SM
MD
LG