Lidhje

Përse është bërë e famshme kompania Ju Tjub


Faqja shumë e sukseshme e internetit YouTube ku vendosen video që mund të shihen dhe përdoren edhe nga të tjerët do të jetë tani pjesë e kompanive të mëdha. Google, faqja më e madhe e kërkimit të informacionit në internet ka rënë dakort ta blejë këtë kompani të re për 1.6 miliard dollarë. Për krijuesit e YouTube-it, kjo është me të vërtetë një histori klasike e kalimit nga varfëria në pasuri.

Kjo filloi si një ide e thjeshtë e cila brenda pak muajve u bë një nga faqet më interesante të internetit në botë. Ajo quhet YouTube – ku mund të shohësh thuajse gjithçka: duke filluar që nga një burrë i vjetër që këndon nën tingujt e një tangoje e deri tek ylli i Hollivudit Kiera Knightley që luan me dhëmbë pjesën “Raindrops keep falling on my head”. Po përse është bërë kaq e famshme? Përveç gjërave qesharake, YouTube është bërë edhe faqja më e frekuentuar për politikën në internet. Si dhe videot e kryengritësve në Irak. Redaktori i revistës “Wired” Marc Robinson e quan këtë revolucion në fushën e videove. “Ajo që shohim është një migrim i shikimit të viedoeve nga televizioni në internet. Gjithnjë e më shumë njerëz shohin video dhe televizor në internet. Ky është hapi tjetër i evolucionit në mënyrën se si shohim televizor.”

Është e thjeshtë të kuptohet përse Google do të jetë pjesë e kësaj. Më shumë se 60 mijë video vihen në faqen YouTube çdo ditë. Dhe më e çuditshmja është se njëqind milion video shihen çdo ditë. Robinson thotë se aty ka shumë potencial për klientë që mund të sjellin të ardhura. “Google fiton kështu një audiencë të madhe dhe emër se do të jetë në krye të videove në internet, gjë që Google nuk e ka arritur deri tani vetë.” Kjo është një histori e jashtëzakonshme suksesi për një faqe interneti që nuk ekzistonte deri para 20 muajve. Krijuesit e YouTube Steve Chen dhe Chad Hurley thonë se jetonin në një garazh me pagesat e kartave të kreditit.

Por popullariteti i YouTube ka dhënë alarmin në industrinë e argëtimit. Disa nga shfaqjet popullore televizive janë hequr nga faqja për shkak të shqetësimeve se mund të ishin kopje të vjedhura. Megjithatë, Hollivudi e ka shfrytëzuar faqen e internetit duke vendosur pjesë filmash të ri aty.

Analisti i medias Omar Wasow thotë se kjo është bërë një faqe e famshme për të gjithë duke filluar nga ata që duan të bëhen artistë e deri tek regjizorët amatorë të filmave: “Krejt papritur, tani ka dalë një brez i tërë regjizorësh që bëjnë pjesë filmike për një audiencë interneti.” Megjithëse pjesa më e madhe përmbajtjes së faqes është humoristike, analistët thonë se përfitimet nuk janë edhe aq për të qeshur. YouTube pritet të sjellë më shumë se 100 milionë dollarë vitin e ardhshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG