Lidhje

Aktorja Nikoll Kidman, ambasadore e vullnetit të mirë, takohet me banorë të qytetit të Gjakovës


Aktorja Nikoll Kidman, ambasadore e vullnetit të mirë të fondit të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e grave, UNIFEM, e cila filloi të shtunën një vizitë dy-ditëshe në Kosovë, u prit të dielën nga shumë banorë të qytetit të Gjakovës.

Vizita e saj në Gjakovë ka një vlerë të veçantë simbolike, sepse rreth një mijë veta nga kjo zonë, konsideroheshin të zhdukur pas luftës. Unifemi ka pasur një numër projektesh për të studiuar ndikimin e luftës tek gratë dhe rolin e tyre në ripajtimin midis komuniteteve. UNIFEM-i dha fonde së fundi për një analizë për buxhetin e departamentit të bujqësisë për Gjakovën, i cili doli në përfundimin se shpenzimet nuk pasqyrojnë nevojat e fermereve femra.

Aktorja Kidman tha të shtunën në Prishtinë se ka ardhur në Kosovë për të mësuar më shumë e për ta ndihmuar këtë vend në këtë moment kaq thelbësor për të ardhmen. Aktorja 39 vjeçare, tha se dëshironte të takohej me njerëzit, të dëgjonte ç'kishin për t'i thënë në mënyrë që të mund të bëhej një zë për ta nëse do të kenë nevojë.

Aktorja me famë botërore, shkoi në Kosovë nga Roma ku mori pjesë në përurimin e filmit të saj më të ri "Fur". Aktorja takoi të shtunën mbrëma zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendas në Kosovë si dhe drejtueset e organizatave të grave, të cilat u ankuan se janë lënë jashtë procesit politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Nikol Kidman u emërua ambasadore e vullnetit të mirë e UNIFEM-it në janar të këtij viti dhe vizita e saj në Kosovë është e para në këtë detyrë. Vizita e aktores Kidman bëhet në një periudhë të rëndësishme politike që ka të bëjë me përcaktimin e statusit të Kosovës. //ze

XS
SM
MD
LG