Lidhje

Shtypi në Shqipëri vazhdon të ndeshet me presione politike


Grupi për lirinë e shtypit, "Gazetarët pa Kufij," në listën e tij të 168 vendeve e ka etiketuar Korenë e Veriut si vendin që shkel më rëndë lirinë e shtypit. Grupi me seli në Paris tha dje se gazetarët në Korenë e Veriut, në Eritrea, Turkmenistan, Kubë, Birmani dhe Kinë vënë jetën në rrezik ose burgosen sepse përpiqen t’i mbajnë njerëzit të informuar. Grupi kritikon Iraninin dhe Arabinë Saudite si vendet që kryejnë shkeljet më të rënda në Lindjen e Mesme. "Gazetarët pa Kufij" i kanë kategorizuar Shtetet e Bashkuara në vendin e 53-të për shkak se Shtëpia e Bardhë i ka parë shtrembër gazetarët që vënë në diskutim luftën kundër terrorit. Edhe Shqipëria përmendet në këtë raport si vendet evropiane me shfaqjet më shqetësuese të shkeljes së lirisë së shtypit.

Shqpëria renditet në raportin e fundit të organizatës në vendin e 80-të, dhe ka shënuar rënie të vazhdueshme në këtë klasifikim që nga viti 2003. Në përfundimet e raportit lidhur me lirinë e shtypit në Shqipëri thuhet se gazetarët vazhdojnë të ushtrojnë vetë-censurën.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Drejtoresha e Zyrës për Evropën dhe vendet ish-sovjetike pranë organizatës "Gazetarët pa Kufij", Elsa Vidal, thotë se kategorizimi i dobët që ka marrë Shqipëria këtë vit është rezultat i presionit që ushtrohet ndaj gazetarëve: "Arsyeja që kemi konstatuar në lidhje me këtë rënie është shtimi i rasteve të dhënës kundër gazetarëve. Në veçanti gjatë vitit 2006 kemi vërejtur raste alarmante të gazetarëve të sulmuar, të plaçkitur apo të kërcënuar si rezultat i profesionit të tyre."

Raporti thekson gjithashtu se organet e shtypit publikojnë artikujt me ngjyrime politike, rezultat i presionit politik ndaj shtypit, gjë që përbën një ndër pengesat kryesore për një media të lirë. "Është një mënyrë për të nxitur gazetarët të ndjekin vijën që u ka caktuar qeveria. Pra është një mjet presioni. Ky nuk është presion fizik, por gjithsesi është presion."

Zyrtarja e organizatës "Gazetarët pa Kufij" thekson gjithashtu se vendet që aspirojnë të antarësohen në Bashkimin Evropian kanë treguar shenja pozitive në drejtim të mbrojtjes së lirisë së shtypit. "Kemi vërejtur përmirësime në vendet që ishin pranë antarësimit në Bashkimin Evropian, gjë që ka pasur rezultate pozitive në lirinë e shtypit në këto vende."

Por mbi të gjitha, thotë zonja Vidal, shtypi i lirë është një tregues i vullnetit politik për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, si dhe një garanci për të luftuar korrupsionin qeveritar dhe problemet sociale në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG