Lidhje

Uizner: Zhvillimet në Beograd nuk do të ndikojnë tek statusi


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner tha sot në Prishtinë se vendi i tij mbështet synimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës brenda këtij viti dhe se ky vendim nuk do të ndikohet nga zhvillimet në Serbi.

Pas takimeve me udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, ambasadori Wisner tha se procesi është në prag të marrëveshjes që do të sjellë tek zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës. “Disa prej nesh nuk kemi dyshim se çfarë do të thotë statusi përfundimtar. Ai nënkupton përmbushjen e një vizioni historik, të qytetarëve të Kosovës” tha zoti Wisner, duke nënvizuar se në Prishtinë ka sjellë një porosi të posaçme të mbështetjes së qeverisë së tij e cila pavarësisht detyrimeve të tjera të Shteteve të Bashkuara në botë, ka përgjegjësi të posaçme të shohë Kosovën të ecë drejt statusit të saj përfundimtar. Ai përsëriti qëndrimet e Grupit të Kontaktit për përmbylljen e procesit deri në fund të vitit dhe për këtë tha ai po punon edhe kryenegociatori ndërkombëtarë Martti Ahtisaari. Ai tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndikimin e zgjedhjeve serbe në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, meqë siç u shpreh, ende nuk ka konsensus as në Serbi për këtë çështje, ndërkaq referendumi për kushtetutën serbe, në të cilin do të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës, duhet të kalojë në qetësi. E ardhmja e Kosovës, theksoi ai, është çështje e saj dhe e bashkësisë ndërkombëtare. “Ajo nuk është çështje e sovranitetit serb, i cili ka ndryshuar kur Kombet e Bashkuara u pajtuan për Rezolutën 1244”, tha zoti Wisner duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia do të kenë të ardhme të ndryshme… “Besoj se një nga arsyet më të mëdha kundër shtyrjes së procesit është fakti se pa e bërë të qartë se çfarë do të thotë statusi përfundimtar nuk është e mundur që të krijohen marrëdhënie të qëndrueshme afatgjate ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha zoti Wisner, i cili përsëriti se parimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën mbeten të pandryshuara dhe Kosova është një tërësi e bashkuar, ku nuk do të ketë ndarje, as në veri e as në jug të lumit Ibër.

Ambasadori Wisner, i cili arriti mbrëmë për një vizitë dyditëshe në Kosovë të cilën nesër pritet ta vazhdojë me vizita jashtë Prishtinës, tha se tash duhet debatuar sfidat që e presin Kosovën pas zgjidhjes së statusit dhe çfarë mund të bëjë komuniteti ndërkombëtarë dhe Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në tejkalimin e tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG