Lidhje

Raport i BE-së mbi ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit evropian


Janë 46 faqe raport në të cilat janë përmbledhur të gjitha vlerësimet dhe vërejtjet për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

Në raport analizohen të gjitha zhvillimet në vend. Ai hapet me një vështrim mbi parlamentin, qeverinë, administratën publike, sistemin gjyqësor dhe politikat anti-korrupsion.

Roli i parlamentit ka ardhur duke u rritur theksohet në raport. “Marrëdhëniet e tij me institucionet e tjera kushtetuese, veçanërisht me Gjykatën kushtetuese dhe Presidencën, dhe ndërhyrjet e kryera nga këto dy institucione, kanë qenë të përshtatshme dhe efektive”.

Sipas raportit përplasjet politike në pranverë dhe verë penguan përpjekjet për marrëveshje për çështje të rëndësishme të reformave, veçanërisht ato që kërkonin konsensusin e të dy palëve.

“Klima e rënduar politike pengoi punën për refomën zgjedhore dhe një marrëveshja e zvarritur politike ka vonuar emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Raporti i referohet më pas marrëveshjes së gushtit të arritur me ndërmjetësinë ndërkombëtare dhe nënvizon se tashmë “Shqipërisë i duhet të tregojë aftësi për të mundësuar një bashkëpunim politik të nxitur nga vetë palët”.

Edhe në konferencën për shtyp të komisionerit europian për Zgjerimin, Olli Rehn, flitet për situatën konfliktuale politike dhe rëndësinë e zgjedhjeve vendore: "Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve vendore. Ky vend ka patur dhe një kulturë të konfrontimit politik mes qeverisë dhe opozitës dhe zgjedhjet janë një test i rëndësishëm. Ne do ti ndjekim me interes këto zgjedhje nëse dhe Shqipëria do të jetë e gatshme të plotësojë standartet europiane", tha Komisioneri Rehn.

Në raport flitet edhe për numrin e madh të komisioneve hetimore të cilat sipas komisionit shpesh nuk kishin një mandat të qartë. Në kapitullin për qeverinë, flitet për një seri reformash veçanërisht ato që lidhen me integrimin, por saktësohet se mbetet shumë për t’u bërë për të siguruar një konsensus më të gjerë në shfrytëzimn e ekspertizës për reformat.

Në raport thuhet se “shumë grupe që punojnë direkt për kryeministrin nuk kanë ndjekur qeverinë dhe ekspertizën e donatorëve duke realizuar projekte të pamjaftueshme.

Shumë institucione janë vënë nën kontrollin direkt të qeverisë” dhe kjo cilësohet si një “tendencë për një mbikqyrje direkte të kryeministrit. Ky centralizim sipas raportit ka bërë që shumë vendime teknike rutine të merren nga kryeministri gjë që ka sjellë vonesa në vendimmarrje kyçe”.

Për administratën publike përmenden ndryshime të shumta të personelit për shkak të luftës kundër korrupsionit dhe kjo theksohet se ka qenë më e dukshme në tatime dhe dogana, ku sipas raporit është ndryshuar mbi 90 përqind e personelit.

Vërejtje janë bërë për rekrutime apo largime nga puna jo në përputhje me ligjin e shërbimit civil, gjë që ka çuar në një farë mënyre sipas raportit në “minimin e sigurisë që ofron ligji. E

mërime politike në nivele të larta drejtuesish mbeten mbizotëruese”, shkruhet në raport. Sisitemi gjyqësor kritikohet për procese të gjata, jo të organizuara mirë dhe me mungesë transparence.

Sipas raportit dhe ligji i ri i propozuar për gjyqësorin nuk i shmang mangësitë e vjetra që lidhen me pavarësinë dhe mbrojtjen kushtetuese të gjyqtarëve. Përmirësimin e pagave dhe statusit të administratës së gjyqësorit dhe ndarjen e përshtatshme të kompetencave mes inspektoriatit të Këshillit të lartë të Drejtësisë dhe ministrisë së Drejtësisë.

Në raport vlerësohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e trafiqeve por kërkohet një përmirësim i mëtejshem me masa të forta e sistematike.

XS
SM
MD
LG