Lidhje

Indianët e Amerikës dhe integrimi i tyre


Amerikanët indigjenë dallohen nga gjuha, kultura dhe historia e tyre. Por kjo nuk i ka penguar ata të përqafojnë tiparet e shoqërisë amerikane në përgjithësi. Të tillë janë njerëzit e fisit Çikaso, të cilët kanë sisteme të përparuar ligjesh dhe njihen si një ndër fiset më të qytetëruar të vendit.

Fisi Çikaso po lulëzon sot me bankat, një fabrikë për prodhimin e çokollatave, kazinotë, kinematë dhe stacionet radiofonike dhe kjo popullsi e sheh veten si pjesë të shoqërisë amerikane.

Ai u formua si i tillë në vitin 1856 në Tishomingo të Oklahomës. Ata njiheshin si popull kurajoz mes amerikanëve indigjenë, dhe për këtë arsye u quajtën “të pamposhtur”. Këta njerez, historikisht luftëtarë të patrembur, u vendosën në Oklahomën jugore dhe qendrore nga mesi i shekullit të 17.

Sot ndikimi i tyre ndihet deri në Kapitol Hill. Tom Cole është përfaqësuesi i vetëm i amerikanëve indigjenë në Kongresin amerikan. “Unë jam Çikaso! Njerëzit harrojnë se në Amerikë ka mbi 500 fise të ndryshme. Ka fise që numërojnë disa dhjetra njerëz, por ka edhe nga ata që i kalojnë të 200 mijët. Ata kanë tradita, gjuhë dhe histori të ndryshme dhe gjenden në procese të ndryshme për sa i përket statusit që gëzojnë. Sovraniteti fisnor nuk është një dhuratë”.

Kongresmeni thotë se sovraniteti fisnor dhe të drejtat e vendosura me marrëveshje shpeshherë shkelen dhe ai bën përpjekje në Kongres për mbrojtjen e tyre. “E shoh si një nga detyrat e mija, për të bërë që kjo të mos ndodhë dhe përpiqem të jem shumë agresiv në mbrojtjen e interesave fisnore në Washington".

Çikaso-të njihen si njëri nga 5 fiset më të civilizuar, për shkak të sistemeve të tyre ligjore të zhvilluara. Guvernatori i Fisit Çikaso, Jefferson Keel, mendon se arritjet e tyre janë pjesërisht meritë e vetë sistemit. Por mbi të gjitha, thotë Keel është Fisi Çikaso që e ka bërë realitet këtë.

“Burimi më i vlefshëm kulturor që kemi është populli dhe gjuha, kjo na dallon nga të gjitha organizatat e tjera të vendit. Ne nuk jemi organizatë, por jemi fis, jemi komb i veçantë. Populli dhe nevojat e tij duhet të jenë në plan të parë, ato duhet të jenë baza e gjithshkaje që ne bëjmë”.

Zoti Keel thotë se Çikaso-të po i përkushtohen si duhet së ardhmes se tyre, duke nxitur biznesin e vogël dhe duke përgatitur juristë apo mjekë që t’i shërbejnë më mirë komunitetit.

“Ne kemi mësuar të përqafojmë kulturën që dominon shoqërinë amerikane në përgjithësi, me rregullat dhe normat e kësaj shoqërie. Kemi mësuar si të jemi qytetarë të mirë. Të tillë duhet të jemi dhe të marrin pjesë në jetën e Shteteve të Bashkuara; ne jemi qytetarë amerikanë dhe po ashtu të shtetit të Oklahomës, por në të njëjtën kohë ne jemi edhe qytetarë të Fisit Çikaso”.

Shoqëria amerikane po tregon një interesim përherë e më të madh për kulturën e fiseve indigjene. Kongresmeni Cole përmend si shembull vleresimin për artin dhe bizhuteritë e tyre. Ai thotë se së fundi vihet re një lloj rilindjeje e kesaj kulture, ndërkohë që amerikanët po e vlerësojnë përherë e më tepër trashëgiminë e amerikanëve indigjenë. //az//

XS
SM
MD
LG