Lidhje

Presidenti Bush i dha fund turneut në Azi


Presidenti Bush i dha fund turneut të tij në Azi, duke premtuar bashkëpunim me homologun e tij indonezian Susilo Bambang Yudhoyono, në çështjen e antiterrorizmit, të Koresë së Veriut dhe fusha të tjera.

Bisedimet e tyre në Pallatin Veror të Bogorit përfshinin edhe Irakun, Iranin, konfliktin izraelito-palestinez dhe prodhimin e lëndëve djegëse alternativë. Zoti Bush tha se ai dhe Presidenti Yudhoyono u shprehën dakord se bisedimet gjashtëpalëshe janë rruga më e mirë për t’i dhënë fund debatit mbi programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Policia kishte ngritur barrikada dhe kishte bllokuar rrugët kryesore për të penguar qindra protestuesit e mbledhur në Bogor. Shumë prej demonstruesve protestonin kundër pranisë ushtarake amerikane në Irak dhe në Afganistan. Indonezia - ndalesa e fundit në turneun e Presidentit Bush në Azi - është vendi me popullatën më të madhe myslimane në botë dhe një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorit. Zoti Bush e quajti Indonezinë një shembull se si demokracia dhe modernizimi mund të shërbejnë si alternativë ndaj ekstremizmit. Presidenti po kthehet në Uashington.

XS
SM
MD
LG