Lidhje

Të rejat e javës nga mjekësia


Studimet e fundit tregojnë se individët kolerikë janë më të prirur të kenë probleme të zemrës, krahasuar me ata më flegmatikë. Në vazhdim ju njohim me studime që janë përpjekur të gjejnë lidhjen ndërmjet temperamentit të njeriut dhe shëndetit të zemrës:

Kur shfryn zemërimin mund të ndjehesh mirë për momentin, por mund t’u kesh hapur rrugën problemeve të mëdha në të ardhmen. Një studim vëzhgoi 1 mijë e 300 meshkuj, pjesa më e madhe e tyre në të 60-at, dhe arriti në përfundimin se ata që ishin më kolerikët kishin më shumë gjasa të përjetonin ritme të parregullta të zemrës se sa ata që ruanin qetësinë.

Një shpërthim zemërimi nxit prodhimin e adrenalinës, e cila rrit tensionin dhe ritmet e rrahjes së zemrës dhe shkakton edhe ndërprerje të ritmit të zemrës. Kjo e bën trupin të dërgojë masa kolesterine në rrjedhën e gjakut, të cilat mund të shkaktojnë mpiksje gjaku. Aspirina mund të shndërrohet në arbitër që e ndërpret këtë zhvillim. Nëse merret një tabletë aspirinë brenda një periudhe 24-orëshe, ajo ndihmon në parandalimin e depozitimit të yndyrës, e cila mund të dëmtojë zemrën.

Dr. Redford Williams i Universitetit Duke në Karolinën e Veriut thotë se vija e frontit në mbrojtjen e shëndetit është në vetë duart e pacientit: "Nuk duhet të lejoni që zemërimi t’ju dëmtojë zemrën, duhet të mësoni t’i shmangni situatat që ju bëjnë të humbni qetësinë. Kjo mund të arrihet me një shëtitje në natyrë, apo me një veprimtari që ju qetëson, dhe të mos harrojmë se qetësia shpirtërore i shërben jo vetëm shpirtit, por edhe zemrës", këshillon mjeku.

Melanoma është forma më vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës. Megjithëse ajo ndeshet vetëm në 4 për qind të rasteve të kancerit të lëkurës, ajo shkakton 80 për qind të vdekjeve nga ky lloj kanceri. Shkencëtarët thonë se shkaku kryesor janë rrezet ultravjollcë. Me tkurrjen e shtresës së ozonit, këto rreze të dëmshme arrijnë në sasi më të mëdha në tokë dhe në lëkurën tonë.

Në Universitetin e Mizurit shkencëtarët po përdorin një metodë me tinguj për të zbuluar praninë e qelizave të melanomës. Profesor John Viator merr një mostër gjaku dhe e godet me rreze lazer për ta bërë të dridhet. Qelizat e melanomës prodhojnë një tingull me frekuencë të lartë që mund të kapet nga një mikrofon special. Rezultatet e tingullit të prodhuar nga mostrat studiohen në kompiuter. Kjo procedurë i ndihmon shkencëtarët të zbulojnë probleme edhe kur bëhet fjalë për 10 qeliza të vetme melanome. Ata synojnë të arrijnë të zbulojnë edhe një qelizë të vetme dhe ta përsosin këtë metodë që në të ardhmen të zbulojnë edhe lloje të tjera kanceri.

Analiza nuk kushton shumë dhe mund të fillojë të përdoret në klinika onkologjike në përgjithësi. Tani shkencëtarët në Universitetin e Mizurit po përpiqen të prodhojnë një makinë lazer e cila diagnostikon lezionet që dyshohet se janë melanomë.

XS
SM
MD
LG