Lidhje

Jep dorëheqjen i vetmi minister serb në qeverinë e Kosovës


Sllavisha Petkoviç, i vetmi ministër serb në qeverinë e Kosovës ka dhënë dorëheqjen sot para kryeministrit të vendit Agim Çeku. Zoti Çeku i cili zhvilloi një takim të gjatë me zotin Petkoviç sot pasdite dhe menjëherë më pas një takim tjetër me kryeadministratorin ndërkombëtar Joakim Rucker, i cili përfundoi para pak minutash, tha se zoti Petkoviç kishte ofruar dorëheqjen dhe kryeministri e ka pranuar dorëheqjen e tij.

Zoti Petkoviç pritet ta ofrojë më shkrim dorëheqjen të hënën dhe po të hënën pritet që Branisllav Gërvbiç, aktualisht sekretar i përhershëm në ministri, të emërohet ushtrues detyre. Kryeministri tha se i kishte paraqitur ministrit Petkoviç shqetësimet e tij dhe të UNMIK-ut, në lidhje me funksionimin e ministrisë për kthim dhe komunitete.

Ai tha se ministri nuk është dakord me këto vlerësime, por e kupton, siç tha zoti Ceku, se problemet e grumbulluara e bëjnë të pamundur qëndrimin e tij në krye të ministrisë për kthim dhe komunitete. Rasti Petkoviç është takuar nga pikëpamja e përgjegjësisë politike, por jo juridike, tha zoti Çeku duke shtuar se ka dyshime për keqmenaxhim fondesh, po kështu ka mungesë besimi reciprok midis ministrisë dhe UNDP-së, ministrisë dhe UNMIK-ut.

Aspektet ligjore do të trajtohen përmes procedurave ligjore. Kryeadministratori Joakim Rucker, tha se ministria nuk ishte më funksionale në marrëdhëniet me UNMIK-un dhe UNDP-në dhe se gjendja nuk mund të mbahej më siç ishte. Kryeministri shtoi se raporti i kontrollit të përgjithshëm konfirmon shkelje dhe abuzime në këtë ministri, por ritheksoi se janë organet gjyqësore ato që do të merren me aspektin ligjor të kësaj çështjeje.

Kryeministri Çeku la të hapur mundësinë për shkarkime apo dorëheqje të tjera në qeveri, por pa dhënë hollësi. Burime pranë zotit Petkoviç thanë se atij i është dhënë pak kohë nga kryeministri për të gjetur dikë nga partia e tij për të marrë këtë post, por kjo nuk është konfirmuar nga burime zyrtare.

XS
SM
MD
LG