Sipas Institutit Kombëtar për Personat me Dëgjim të Kufizuar, gati 30 milionë amerikanë ekspozohen çdo ditë ndaj niveleve të rrezikshme të zhurmës, ndërkohë që 10 milionë prej tyre kanë pësuar humbje të pakthyeshme të dëgjimit. Por kjo është veçse një nga shumë pasojat në shëndetin tonë që shkakton mjedisi i sotëm me zhurma.
Zhurmat janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Që nga kositja e barit ... trafiku pranë shtëpisë ... trenat ... deri tek muzika - zhurmat e tyre vijnë drejt e në veshët tanë. Zhurmat konsiderohen ndotës të mjedisit ku jetojmë, dhe, sipas disa ekspertëve, kjo fushë është më e ndotura në 100 vjetët e fundit. Zhurmat e shtojnë së tepërmi stresin që zakonisht pasqyrohet në pagjumësi, tension të lartë dhe probleme me thithjen e informacionit të ri. Kenneth Feith punon për agjencinë amerikane të mbrojtjes së mjedisit. “Një nga problemet është se zhurmat e padëshërueshme përshkruhen nga njerëzit si bezdi dhe jo si një efekt serioz në shëndet”.
Ai thotë se studime me fëmijët tregojnë efektet e një mjedisi me zhurma.“Studimet argumentojnë me shifra rënien e vëmendjes dhe të përqendrimit në aftësinë e të mësuarit, në mbajtjen mend, në të kuptuarin e fakteve dhe kjo për shumë arësye, kryesisht interferencë në ligjërim, shpërqendrim etj.”
Përmes një zhurmëmatësi, Keneth Feith tregon disa nga zhurmat më të zakonshme ndaj të cilave ekspozohemi. Intensiteti dhe koha e ekspozimit janë përcaktuese në dëmtimin e të dëgjuarit dhe në pasoja të tjera shëndetësore. Në përgjithësi, thotë ai, në 85 decibel mund të fillojmë të pësojmë dëmtim të veshit. “Një motor avioni në momentin e nisjes është rrteth 150 decibel dhe kur ekspozohesh ndaj këtij niveli, dëgjimi dëmtohet”.
Nga rreth 15 metra larg, një traktor regjistron një zhurmë prej 75 decibelësh. Les Bloomberg është drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Ndotjen nga Zhurmat. “Ai po qendron mbi një mjet të zhurmshëm për një pjesë të mirë të ditës dhe po dëgjon muzikë në volum edhe më të lartë”.
Bloomberg thotë se zhurmat gjithashtu ndikojnë në sjelljen tonë. Disa studime tregojnë se njerëzit tregohen më pak të sjellshëm në mjediset me zhurmë. Madje, thotë Bloomberg, zhurmat e padëshërueshme dhe në nivele të larta shpesh lidhen me sjellje të dhunshme. “Në Shtetet e Bashkuara, policia merr çdo ditë mesatarisht 40 mijë telefonata për të raportuar zhurmë dhe këto thirrje kanë prirjen të zënë vendin e parë në telefonatat që merr policia”. //az//