Lidhje

UNESCO-ja analizon rreziqet që kërcënojnë mjedisin


Shumë konferenca ndërkombëtare kanë marrë në shqyrtim probleme specifike të mjedisit për planetin tonë, siç janë thatësira, humbja e ndjeshme e specieve dhe mbipopullimi. Konferenca të tjera kanë marrë në shqyrtim ndotjen e ajrit dhe ujit të pijshëm. Por rrallë herë shkencëtarët dhe politikanët janë mbledhur së bashku për të diskutuar të gjitha problemet njëherësh.

Ja disa përllogaritje që nuk janë të këndëshme për askënd. Rreth vitit 2050, deri në dy miliardë njerëz mund të ndjejnë pasojat e shkretëtirës, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike. Në më pak se 20 vjet, deri në dy miliardë njerëz mund të përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Ndotja e ajrit u kushton jetën më shumë se 1,5 milionë njerëzve në Azi çdo vit.

Këto janë disa nga shumë të dhënat statistikore që paraqitën shkencëtarët dhe studjuesit e mjedisit, që u mblodhën në një konferencë që u mbajt kohët e fundit në Paris për të shqyrtuar të ardhmen e qënieve njerëzore dhe të planetit tonë.

Konferenca e organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, UNESKO-ja, ishte e para që mori në shqyrtim të gjitha problemet e mjedisit së bashku, dhe se si ato lidhen me njera tjetrën. Shkencëtarët jo vetëm që po shqyrtojnë tani shkaqet e degradimit të mjedisit por edhe përgjegjësinë morale të njerëzve ndaj planetit, që ata kanë filluar ta quajnë etikë të mjedisit. Filozofi senegalez, Souleymane Bashir Diagne shpjegon:

“Ekologjia nuk është vetëm shkenca e mjedisit, por ajo ka të bëjë në një masë të madhe me sjelljen njerëzore ndaj natyrës. Etika e mjedisit, qendrimi ynë etik si njerëz ndaj natyrës dhe specieve të tjera është në thelb të mendimit tonë ekologjik”.

Por ekspertët thonë se etika shpesh neglizhohet në debatin për mjedisin. Një problem tjetër është se agjencitë ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara shpesh merren në një kohë të caktuar, vetëm me një çështje të mjedisit, thotë Jerome Binde, i cili ishte një nga organizatorët e konferencës së UNESKO-s.

“Për mendimin tim, ndoshta ata janë grupuar për shkak të strukturës së administratave dhe institucioneve të mëdha, rrjedhimisht ata janë grupuar edhe nga pikpamja e burimeve njerëzore”.

Në konferecën e Parisit u mblodhën disa nga studjuesit më të shquar të mjedisit në botë si dhe politikanë të po atij kalibri nga disiplina të ndryshme. Zoti Binde thotë se pjesëmarrësit ranë dakort për rëndësinë që ka bashkëpunimi për çështje të tilla si varfërimi i pyjeve, zhdukja e specieve të ndryshme, burimet e ujit të pijshëm dhe mënyrat për të kufizuar konsumin. Ky lloj bashkëpunimi në fushën e mjedisit është vetëm fillimi, thotë zoti Binde, dhe parashikon se ai do të shtohet ndjeshëm.

Përveç bashkëpunimit, studjuesit e mjedisit dhe politikanët duhet të fillojnë të shikojnë përpara, thotë Asit Biswas, kryetar i Qendrës së Botës së Tretë për Menaxhimin e Ujit të Pijshëm, një grup jo-fitimprurës me bazë në Meksikë.

“Njerëzit kanë qënë aq të zënë sa që nuk kanë patur mundësi të shikojnë me largpamësi të ardhmen. Me të ardhme unë nuk e kam fjalën për vitin 2020, por për katër apo pesë vjetët e ardhëshme. Praktikisht, pothuajse të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare në fushën e ujit, vitet e fundit nuk kanë parë përtej një të ardhmeje afat-shkurtër”.

Ndërsa shkencëtarët dhe politikanët kërkojnë të gjejnë zgjidhje më të përgjithshme për problemet e mjedisit, zoti Biswar thotë se ata duhet të shikojnë edhe se çfarë është arritur deri tani.

“Si është e mundur që një qytet si Phnom Pheni në Kamboxhia, që menaxhohet krejtësisht nga sektori publik, është më i mirë se sa sektori privat i menaxhimit në Francë dhe Angli. Askush nuk mund ta shpjegojë suksesin e Phnom Penit, por vetëm 12 vjet më parë, ky qytet humbiste rreth 70 përqind të ujit për shkak të menaxhimit të keq. Tani, ata e kanë ulur këtë humbje në 8 përqind”.

Ky është një mësim i mirë, thotë zoti Biswar, për qytete të tilla si New Delhi dhe Bankoku, ku 60 përqind e sasisë së ujit nga sektori publik nuk arrin tek konsumatorët për shak të menaxhimit të keq dhe rrjetit të dobët të furnizimit me ujë.

Mesazhi i përsëritur i konferencës ishte se çfardo që të ndodhë me planetin tonë në të ardhmen varet se sa rëndësi i kushtojmë ne atij sot. Ministrat e Mjedisit në shumë vende, për shembull, vazhdojnë të kenë rëndësi të dorës së dytë. Ekspertët thonë se ne duhet ta vlerësojnë më shumë mjedisin, për të qënë në gjendje që ta shpëtojmë atë.

XS
SM
MD
LG