Lidhje

New York Times: Shqipëria, pika turistike më e lirë për vitin 2007


Autori i artikullit, Matt Gross, shkruan se vitet e fundit Shqipëria ka treguar se jo vetëm është tërheqëse për turistët por edhe financiarisht e përballueshme për ta. Zoti Gross thotë se megjithëse Tirana është një pikë fantastike për fillimimin e udhëtimit, është jugu i vendit ai që ruan thesaret më intriguese me çmimet më të mira.

Përshkrimi fillon me Gjirokastrën. Gazeta përmend faktin që ky qytet është vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit të Shqipërisë për 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe Ismail Kadaresë, shkrimtarit tashmë me famë botërore, që shpesh është përmendur si kandidat i Çmimit Nobel. Gjirokastra, thuhet në artikull është ndërtuar në një faqe aq të pjerrët, saqë koncepti ndërtimor është tejet sfidues për një qendër të banuar. Për më tepër, megjithë pamjen hijerëndë të periudhës otomane, qyteti është plot gjallëri.

Gazeta e zhvendos më tej udhëtimin në Sarandë, me hotelet në buzë të detit me një pamje të mrekullueshme dhe me një çmim prej vetëm 30 Eurosh. Sugjerimet për turistët përfshijnë plazhin e Ksamilit dhe afërsinë me ishullin e Korfuzit në Greqi ku mund të shkosh me motorskaf brenda pak minutash.

Megjithatë gazeta shkruan se perla e vërtetë e Jugut të Shqipërisë është Butrinti 2 mijë e 500 vjeçar që është banuar nga breza Ilirësh, Grekësh, Epirasish, Romakësh, Bizantinësh dhe Venecianësh para se të kthehej thjesht në fshat peshkatarësh në fund të shekullit të 19-të. Në fjalët e autorit të artikullit Butrinti është një lloj vendi që ende pret të zbulohet. Gërmimet e para në Butrint, që UNESCO e ka shpallur si tashëgimi me vlerë botërore, u bënë nga Italianët në vitet ’20. Ata zbuluan amfiteatrin. Më pas arkeologët zbuluan bazilikata të hershme të krishtera dhe objekte të tjera.

Ashtu si vetë Shqipëria, shkruan Nju Jork Tajmsi, ky qytet mban në gjirin e tij thesare të fshehta për kureshtarët me çmime të përballueshme nga thuajse gjithkush.

XS
SM
MD
LG