Lidhje

Armëpushim i brishtë pas luftimeve mes fraksioneve rivale në Rripin e Gazës


Në Qytetin e Gazës vazhdojnë të enden nëpër rrugë persona të armatosur dhe të dëgjohen të shtëna armësh, megjithë armëpushimin mes fraksioneve rivale palestineze Hamas dhe Fatah.

Armëpushimi i shpallur dje përfshin përfundimin e menjëhershëm të dhunës dhe ndalimin e manifestimeve dhe demonstratave. Zyrtarët nga të dy palët do të përpiqen t’i mbledhin të gjitha armët që janë në qarkullim.

Fraksionet Hamas dhe Fatah janë mbërthyer në një luftë për pushtet, që kur Hamasi fitoi zgjedhjet parlamentare dhe mori pushtetin në territoret palestineze në fillim të këtij viti.

Luftimet u acaruan dje në Rripin e Gazës, pas thirrjes së Presidentit palestinez, Mahmoud Abaz, për zgjedhje të parakohëshme, që Hamasi e ka quajtur jo kushtetuese.

Nga dhuna e djeshme u vra një vajzë 19-vjeçare që u kap mes të shtënave dhe u plagosën një numër civilësh.

Persona të armatosur, që dyshohet se i përkisnin Hamasit, rrëmbyen dhe vranë një zyrtar të sigurimit të Fatahut dhe hapën zjarr ndaj protestuesve pro-Fatahut.

Më parë, pjesëtarë të Fatahut morën nën kontroll dy ministri të drejtuara nga Hamasi. Kryeministri Ismail Haniyeh e cilësoi këtë akt si përpjekje për grusht shteti.

XS
SM
MD
LG