Lidhje

Çeku: Propozimi për statusin më 26 janar 2007


Në Kosovë, kryeministri Agim Ceku konfirmoi të mërkurën se propozimi i të dërguarit për statusin, Marti Ahtisari, do t’i paraqitet Grupit të Kontaktit më 26 janar të vitit të ardhshëm. Zoti Çeku i tha Zërit të Amerikës, se kryenegociatori do të vijë dy ose tre ditë pas kësaj, në Prishtinë dhe së bashku me përfaqësuesit e Kosovës do ta kalojë faqe për faqe dokumentin e propozuar për të marrë propozimet dhe komentet e Prishtinës.

Pas marrjes së propozimeve dhe komenteve nga të dyja palët, zoti Ahtisari, do t’ia paraqesë Grupit të Kontaktit propozimin përfundimtar. Kjo pritet të bëhet deri në fund të shkurtit të vitit 2007. Më pas zoti Ahtisari do t’ia paraqesë propozimin dhe sugjerimet e tij Këshillit të Sigurimit, i cili do të duhet të negociojë për një rezolutë të re për Kosovën.

Zoti Çeku tha se Kosova është shumë afër realizimit të pavarësisë së saj dhe bëri thirrje që viti 2006 të mos shihet si vit jo shumë i suksesshëm. Kryeministri tha se nuk ka arsye të turpërohet për punën e qeverisë që ai drejton. Zoti Çeku mori edhe njëherë mbështetjen për qeverinë e tij në fund të këtij muaji në parlament, kur deputetët miratuan me shumicë votash buxhetin për vitin 2007.

Në një zhvillim tjetër, grupi negociator i Kosovës do të përqëndrohet në fillim të vitit të ardhshëm në përgatitjen e kushtetutës së re të vendit, e cila sipas presidentit Fatmir Sejdiu, kryesues I grupit negociator do të jetë një kushtetutë moderne. Grupi negociator do të punojë në vitin 2007 edhe për cështjen e simboleve të Kosovës së ardhshme. Negociatorët e Prishtinës besojnë se çështja e statusit do të zgjidhet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Presidenti Sejdiu pohoi po kështu se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do të mbahen në vitin 2007, dhe ligji zgjedhor do të bëhet nga grupi negociator në bashkëpunim me partitë relevante të Kosovës. Presidenti tha se grupi negociator nuk është kthyer në një institucion mbi institucionet e Kosovës, megjithë kompetencat e mëdha që I ka dhënë vetes, përfshi edhe përgatitjen e ligjit për zgjedhjet.

Grupi negociator i Kosovës përkrahu gjithashtu edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare serbe. //kk//

XS
SM
MD
LG