Lidhje

Presidenti Moisiu: Politika të mendojë më shumë për Shqipërinë


Zëri i Amerikës: Zoti President, ju falenderoj që pranuat të jepni këtë intervistë për ne. Duke patur parasysh situatën politike të ditëve të fundit, situatën e paprecedent lidhur me çështjen e zgjedhjeve do të doja ta nisja këtë intervistë duke ju pyetur se sipas jush, sa e rrezikshme eshtë një situatë e tillë, kur një vend nuk arrin dot të organizojë zgjedhje. Praktikisht deri sot jemi në një situatë, kur nuk dihet nëse do të arrihet një marrëveshje mes partive?

Alfred Moisiu: Për mua kjo krizë eshtë e panevojshme e pakuptueshme por dhe e dëmshme. E dëmshme si për opinionin e brendshëm, duke krijuar një turbullirë, një shqetësim të panevojshëm te qytetarët, veçanërisht te rinia, por edhe në aspektin ndërkombëtar, dëmton imazhin tonë për të cilin kemi punuar një kohë të gjatë dhe kemi arritur goxha suksese, dhe vetë nënshkrimi i MSA kishte një domethënie shumë të madhe por dhe sinjalet nga samiti i Rigës për vitin 2008 për pranimin në Nato. Pra të gjitha këto gjëra, unë mendoj se nuk duhej arritur deri në këtë krizë, e cila duhet të them të drejtën, nuk mund të them se e kisha parashikuar. Por që vjet me 5 dhjetor mblodha tryezën e partive parlamentare pikërisht që të kishim kohën e duhur në dispozicion për t’u marrë me rregullimin e cilitdo legjislacioni, kodi zgjedhor mbështetur në vërejtjet e ODIHR-it dhe OSBE-së në raportin për zgjedhjet e vjetshme të 3 korrikut, por dhe vërejtjet që kishin dalë nga praktika e punës së partive shqiptare. Dhe ishte nje kohe vertet e mjaftueshme për t'i ezauruar dhe për t'i dhënë konsideracionin e duhur të gjitha problemeve dhe pa qenë nevoja për të krijuar një krizë të tillë. Në mandatin tim këto janë zgjedhjet e treta dhe nuk na ka ndodhur më parë. Jo se nuk kemi patur probleme, por janë zgjidhur në kohë. Por kjo tregon më shumë dhe një mosbesim të madh.

Zëri i Amerikës: Një vit kohë e humbur për reformën zgjedhore. Pse është kaq e vështirë që partitë politike të merren vesh për një çështje, e cila në thelb përfaqëson bazën e demokracisë?

Alfred Moisiu: Ne akoma po vuajmë nga tendenca e partisë-shtet, po do ta them më të avancuar këtë mendim. Ne vuajmë nga ajo që partitë në demokracinë tonë akoma kanë një rol më shume se ç'u takon në bazë të Kushtetutës. Një shtet i së drejtës drejtohet nga institucionet dhe nuk mund të bëhen në prag të çdo zgjedhjeve ndryshime në kodin zgjedhor. Dhe e vërteta është se kjo vetëm te ne po ndodh që në prag të çdo zgjedhjeje kemi probleme. Duhet zgjidhur një herë e mirë. Ne i kemi politizuar gjërat jashtë mase duke nisur që nga KQZ të cilin kushtetuta e ka absolutisht një institucion kushtetues por tekniko’ administrativ. Ne atij i shtuam dhe politik partiak. Që këtu ne e prishim këtë. Dhe asistenca që na është dhënë nga OSBE e cila ka qenë prezente mund të themi me plot gojën se nuk ka qenë në nivelin e duhur, nuk ka qenë në nivelin e duhur sepse nuk duhej të ishte krijuar kjo situatë Politika vuan nga protagonizmi. Aq më tepër mentalitetet, Një-shat e trashëguar nga e kaluara janë fatkeqësisht gjallë në mendjen e politikanëve. Prandaj na duhet vërtetë të bëjmë një hop të madh.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ky ka qene një vit i trazuar politikisht dhe këto konflikte e debate ne një farë mënyre ju kanë përfshirë edhe ju. E kamë fjalën këtu për rastin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, çështjen e Prokuorit të Përgjithshëm, apo së fundi edhe për çështjen e zgjedhjeve ku kryeministri ju ka kritikuar se keni mbajtur anën e opozitës. Për një president sa e vështirë është pozita e tij kur ka një shumicë dhe një qeveri mosbesuese ndaj tij?

Alfred Moisiu: Modeli i zgjedhjes sime ka qenë një model i veçantë në raport me zgjedhjen e presidentëve të mëparshëm. Unë jam zgjedhur me konsensusin e partive poliike, por nuk ka qenë thejsht konsensusi, por unë jam një president që nuk i përkas asnjë partie, Pra, jam de facto jashtë forcave politike dhe rrjedhimisht qëndroj mbi partitë, jo vetëm si pasojë e kërkesës kushtetuese, por edhe faktit që i tillë jam. Dhe këtë pozicion 4 vjet e gjysëm, e kam patur dhe me mazhorancën e mëparshme, kam patur vërejtje e kritika në adresë të veporimeve të mija, por dhe mazhoranca e sotme ka të njejtat fenomene e vërejtje, mbase pak më të forta., por me sa duket ne kemi nevojë akoma të mësojmë e njohim hierarkinë shtetërore dhe të zbatojmë kërkesat e institucioneve kushtetuese. Kur flasin institucionet kushtetuese çdo gjë duhet të mbarojë. Ne përkundrazi, vazhdojmë me ato mendime që kemi kemi duke synuar arritjen e objektivave e qëllimeve që ka secila forcë politike.

Unë mendoj se shteti nuk mund të funksionojë përmes medias. Institucionet duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes rrugës zyrtare. Se jo për çdo gjë duhet problematikë e tillë që të krijojë një turbolencë të tillë të panevojshme, qoftë të brendshme, qoftë të jashtme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, shumë nga përplasjet politike kanë patur në qendër çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë. Ju mendoni se këto debate të forta kanë qenë negative apo në fund të fundit mund të shërbejnë si pikënisje për të ndërmarrë një reformë të gjithanshme të këtij sisitemi i cili realisht është problematik

Alfred Moisiu: Ne nuk duhet të harrojmë se nga vijmë. Gjithnjë duhet ta kemi parasysh nga vijmë që të dimë se ku po shkojmë. Ne vijmë nga një sistem shumë diktatorial, kurse në këto 16 vitet e fundit janë bërë ndryshime kolosale. Megjithatë duhet të themi se gjyqësori ynë ka akoma probleme., por nganjëherë politika i ekzagjeron këto mangsi, për arsyet dhe qëllimet e veta. Shpesh dobësitë e politikës kërkojnë t’ja veshin gjyqësorit më shumë se sa cduhet, nuk them se gjyqësori nuk ka mangësi.

Unë në fillim të këtij muaji organizova një tryezë me përfaqësues të konferencës së gjyqtarëve, të KLD, të Gjykatës së Lartë dhe personaliteteve të tjera juridike të vendit dhe duke patur mbështetjen e disa miqve amerikanë, Euraliusin, Këshillin e Evropës. Deviza ishte kjo: Reforma në sistemin gjyqësor është çështje e të gjithëve. Pra,, nuk është vetëm gjyqësori, por duhet të marrin pjesë të gjithë si ta përmirësojmë. Aty dolën shumë konkluzione interesante që janë duke u përpunuar që të hartojmë një strategji të plotë se nuk është puna me arma me mballoma. Boll kemi ecur kështu deri tani. Duhet të nisim që nga performanca e vetë gjyqtarit, nga ligjet, ku duhet vënë dorë dhe si, nga struktura organizative dhe në tërësi sistemi të shihet. Gjyqësori që duhet për administratën, ai për fëmijët... Fakti që ne kemi ngritur një Gjykatë të Krimeve të Rënda, vërtetë të pastër e të mirë, tregon se mundësitë, materia-bazë ekziston. Pra, duhet vetëm kujdes në përzgjedhjen e njerëzve në trajtimin e tyre. Por ka një gjë: i kërkojmë gjyqësorit, por dhe duhet t’i japim. Duhet parë sistemi i pagave, jo vetëm për gjyqtarët, por dhe administrata, e dyta masa e sigurisë. Ata janë njerëz, krimi është serioz, kriminelët nuk njohin asnjë parim asnjë kriter. Shteti duhet të marrë masa sigurie të tilla që ata të kenë mundësi të punojnë, të zgjidhin problemet në bazë të ligjeve, por pa patur asnjë shqetësim tjetër. Un kam bindjen se duke punuar sic kemi filluar vërtetë, do të përcaktojmë një strategji afatgjatë, të mirë, për përsosjen e gjyqësorit shqiptar,që ai të arrijë nivelet që na kërkohen nga BE.

Zëri i Amerikës: Zoti President, një pyetje paksa personale. Ju jeni tashmë në fund të mandatit. A ka diçka që ju do të donit ta kishit bërë më mirë?

Alfred Moisiu: Sigurisht unë kur mora mandatin, kisha disa synime të miat. Dhe në radhë të parë doja që në politikën shqiptare të fusja një etikë më të mirë, sepse ne nuk e kemi për gjë të akuzojmë, fjalën e fundit ta nxjerrim të parën, me akuza të pathemelta. Sot e nxijmë, pas 6 muajsh e zbardhim tjetrin. Nuk ka sesi. Nëse ai është përgjegjës për ato që duhet të jetë, ai jo vetëm nuk mund të zbardhet, por duhet të dalë përpara drejtësisë të japë llogari.

E dyta, unë jam nga natyra dhe origjina pak idealist. Interesat e vendit i kam vënë gjithnjë para interesave të mia dhe unë do të doja që politika vërtetë të mendojë më shumë për Shqipërinë, për popullin se sa për veten e saj.

Kam dashur që institucionet kushtetuese të jenë në vendin e tyre dhe jo të bëhen pre e politikës, e pakënaqësive të njerit apo tjetrit. Fatkeqësisht tek ne kjo ekziston akoma. Do të doja që këto gjëra të ishin më përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti President, jemi në fund të vitit. Cili do të ishte për ju urimi për shqiptarët këtu, por edhe për ata në Kosovë të cilët i pret një vit i rëndësishëm?

Alfred Moisiu: U uroj shqiptarëve kudo që janë në të gjithë botën një vit të mbarë dhe suksese të mëtejshme. Shqipëria po ecën, pavarësisht nga problematika ajo po ecën, mund të kishte ecur më shpejt, është e vërtetë, por po ecën, vendi po ecën, ekonomia gjithashtu, demokracia po forcohet e zhvillohet.

Ndërsa për Kosovën kam një urim shumë të veçantë. Uroj që të arrijë pavarësinë. Viti 2007 të jetë realizimi i ëndrrave të tyre, aspiratave të tyre, për të cilat kanë vuajtur shumë kanë derdhur, shumë gjak. //az//

XS
SM
MD
LG