Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica i bëri thirrje Sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon të mbrojë integritetin territorial të vendit të tij dhe të mos lejojë pavarësinë e Kosovës.
Përmes një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm zoti Koshtunica thotë se është e papranueshme dhe e pamundur të ndryshohen kufijtë e vendit të tij dhe të krijohet ajo, që ai e quan, një shtet tjetër shqiptar, në 15 përqind të territorit të Serbisë.
Në fillim të vitit të kaluar Prishtina dhe Beogradi filluan bisedime me ndërmjetësinë e OKB-së për statusin përfundimtar të Kosovës, por gjatë tyre u arrit pak. Shqiptarët kërkojnë pavarësi, Beogradi kërkon ta mbajë Kosovën pjesë të Serbisë.