Lidhje

Kryeministri irakian thotë se do të fillojë fushata për ta bërë Bagdadin më të sigurtë


Kryeministri irakian tha të shtunën se forcat vendase do të fillojnë së shpejti një fushatë për të vënë nën kontroll zonat e Bagdadit nga grupet ekstremiste, që fajësohen për dhunën sektare e cila u ka kushtuar mijëra viktimave. Korrespondenti ynë, Jim Randle, njofton nga Iraku Verior.

Në një fjalim mbi çështje ushtarake, Kryeminitri Nouri al-Maliki tha se një plan i ri mbi sigurimin e Bagdadit i është nënshtruar disa rishkikimeve dhe tashmë është gati.

Kryeministri tha se plani bazohet tek forcat irakiane, të mbështetura nga trupat shumëkombëshe. Plani parashikon kontrollin lagje më lagje nga ana e këtyre forcave.

Zoti Maliki tha se objektivi i planit është mbrojtja e popullit irakian dhe vënia e armëve nën kontrollin e forcave qeveritare, dhe jo të milicisë, pavarësisht nga përkatësia e tyre sektare dhe partiake. Ai tha se forcat e armatosura irakiane nuk do të lejojnë askënd të veprojë në këmbë të qeverisë sovrane të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Njoftimi i kryeministrit pason njoftime nga Uashingtoni se Presidenti Bush do të dërgojë trupa amerikane shtesë në Irak. Presidenti pritet të parashtrojë publikisht planin e tij javën e ardhshme.

Ndërkohë, dhuna në Bagdad dhe gjetkë në Irak vazhdon.

Në një incident, një makinë-bombë shpërtheu të shtunën në qendër të Bagdadit kundër një autokolone ku ndodhej një oficer i lartë i policisë irakiane. Oficeri nuk pësoi gjë, por një person aty pranë vdiq dhe të tjerë u plagosën.

Në komentet e tij të shtunën, Kryeministri Maliki iu përgjegj gjithashtu kritikave që pasuan ekzekutimin e Saddam Huseinit. Ai tha se Saddami i gjykua në një gjyq të drejtë, diçka që ia kishte mohuar shumicës së njerëzve që u ekzekutuan gjatë sundimit të tij. Kryeministri e quajti ekzekutimin çështje të brendshme dhe i kërkoi qeverive të huaja të ndërpresin ndërhyrjen në punët e brendshme të Irakut. //az//
XS
SM
MD
LG