Lidhje

Presidenti Moisiu u propozon partive dialogun për të dalë nga kriza


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e vlerësoi sot si të panevojshme dhe të dëmshme krizën politike, ku janë mbërthyer përgatitjet e procesit zgjedhor. Ai bëri të ditur se nuk do të lejonte që kriza të zgjatej më tej dhe shprehu gadishmërinë për të mbledhur një tryezë me partitë politike për tejkalimin e gjendjes së vështirë, që kanë sjellë mospajtimet e tyre.

"Jam i gatshëm të mbështes një zgjidhje konsensuale për një datë tjetër votimi brenda afatit kushtetues, por njëkohësisht unë jam kategorikisht kundër çdo kalkulimi, ngado që ai të vijë e që tenton të shtyjë pafundësisht procesin zgjedhor" - tha ai.

Zoti Moisiu tha se nuk mund të pajtohej me tensionimin dhe mungesën e dialogut politik që po pengojnë reformën zgjedhore në Shqipëri.

"Është e palejueshme që Shqipëria dhe interesat e saj kombëtare të mbahen peng nga individë, apo subjekte politike, që mbi çdo interes tjetër kanë vënë interesat personale politike" - tha ai.

Presidenti Moisiu u shpreh me tonet më të ashpra për sjelljet e partive politike, duke nënvizuar dështimet e tyre në procesin e dialogut.

"Me një sjellje të pashembullt që reflekton sa papërgjegjshmëri dhe arrogancë, aq edhe mungesë vullneti e besimi reciprok, klasa politike ka dështuar në gjetjen e konsensusit lidhur me aspekte teknike të votimeve, duke i shkaktuar një dëm të madh vendit dhe qytetarëve të tij" - tha ai.

Zoti Moisiu u kërkoi partive politike të gjejnë sa më shpejt mirëkuptimin, sepse pjesëmarrja në zgjedhje është pjesë e demokracisë.

"Partitë janë të detyruara të gjejnë kompromis midis tyre dhe të shkojnë në zgjedhje. Kriza është e rëndë por nuk është pa zgjidhje. Përderisa ngërçi që ka bllokuar procesin lidhet vetëm me një çështje të caktuar teknike, atëhere besimi që mungon duhet krijuar, duke ofruar garanci dhe kompromis nga secila palë. Kjo duhet bërë menjëherë dhe pa kushte" - tha ai.

Presidenti Moisiu theksoi se këto mosmarrëveshje politike mund të ndikojnë në përpjekjet për integrimin e vendit në institucionet euro-atlantike. Ai i bëri sot komentet e tij në prag të skadimit edhe të afatit tjetër për të dekretuar një datë të re për zgjedhjet vendore nga gjysma e dytë e shkurtit.//lk

XS
SM
MD
LG