Lidhje

Bërns: SHBA shpresojnë se statusi i Kosovës do të zgjidhet shpejt


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nik Bërns tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet shumë shpejt pas zgjedhjeve në Serbi. Në komentet e bëra dje për gazetarët në Uashington, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet e kryenegociatorit të OKB-së për të filluar një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit për këtë çështje.

"Menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, -tha zoti Bërns,- i dërguari i OKB-së, Presidenti Ahtisari do të fillojë një seri diskutimesh mes Prishtinës dhe qeverisë së re në Beograd. Ne gjithnjë kemi besuar se ka ardhur koha për një status përfundimtar për Kosovën.

Kanë kaluar 7 vjet e gjysmë që nga mbarimi i luftës dhe popullit të Kosovës nuk i është dhënë ndonjë shenjë nga komuniteti ndërkombëtar se cili do të jetë statusi i tij i ardhshëm. Çdo njeri ka të drejtë të dijë se ku banon dhe kush duhet të qeverisë, ka të drejtë për liri. Prandaj ne do të mbështesim përpjekjet e zotit Ahtisari menjëherë pas zgjedhjeve për të filluar një dialog dhe një negociatë mes beogradit dhe Prishtinës. Shpresojmë, -tha zoti Burns, -që kjo do të zgjidhet shumë shpejt, brenda një ose dy muajsh pas zgjedhjeve serbe."

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesin pavarësinë për Kosovën, zoti Bërns tha se "Shtetet e Bashkuara mbështesin një status përfundimtar të drejtë për Kosovën, por nuk do të jepnin receta për zgjidhjen, para se zoti Ahtisari të thotë fjalën e tij. Dhe ai ende nuk e ka thënë fjalën e tij."

XS
SM
MD
LG