Lidhje

Komandanti ushtarak amerikan në Irak - optimist për planin e ri


Komandanti ushtarak amerikan në Irak, i cili po largohet nga ky funksion, thotë se plani i ri amerikano-irakian do ta bëjë Bagdatin të sigurt pas muajit korrik ose gusht.

Gjenerali Kejsi komentoi pas bisedimeve që pati të premten në qytetin jugor të Basrës me sekretarin amerikan të mbrojtjes Robert Gejts, i cili e bëri vizitën e tij të paparalajmëruar në Irak për t’u takuar me komandantët e koalicionit dhe ata amerikanë. Zoti Gates tha se Iraku është një moment kritik dhe nëse gjendja e sigurisë nuk përmirësohet, kjo do të ishte një katastrofë për interesat amerikane.

Gjenerali Xhorxh Kejsi tha nga ana e tij se nëse kushtet e lejojnë, kontingjenti shtesë prej më shumë se 20 mijë trupash amerikane që do të dërgohen në Irak, mund të fillojë të kthehet në Shtetet e Bashkuara në atë periudhë. Por ai tha se operacioni i ri i sigurimit për Bagdatin duhet të tregojë një farë rezultati gjatë 60 ose 90 ditëve të ardhëshme.

Forcat irakiane dhe amerikane arrestuan një nga ndihmësit kryesorë të klerikut radikal shiit Moktada al-Sadr, gjatë një kontrolli në Bagdatin lindor. Zyra e al-Sadrit tha se personi i arrestuar është Sheik Abdul Hadi al-Daraxhi, drejtor i shtypit të kësaj zyre.

Në një deklaratë të ushtrisë amerikane personi i arrestuar nuk identifikohej me emër por përshkruhej si udhëheqës i një grupi të armatosur të paligjshëm që ka lidhje me rrëmbime, torturime dhe vrasje të civilëve irakianë.

Zëvendës komandanti i koalicionit në Irak, gjeneral-lejtnanti britanik Grejmi Lamb tha se është i sigurt që koalicioni ka arrestuar njeriut e duhur bazuar mbi provat dhe informacionet e zbulimit që ka patur.

Kryeministrit irakian Nuri al-Maliki po i bëhet presion për të marrë masa kundër milicisë shiite, duke përfshirë personat e lidhur me aleatin e tij, Moktada al-Sadr.

XS
SM
MD
LG