Lidhje

SHBA: Një demokrat tjetër i shtohet garës presidenciale


Në Shtetet e Bashkuara, Guvernatori demokrat i shtetit Nju Meksiko thotë se ka në plan të kandidojë për president në zgjedhjet e vitit 2008.

Në një intervistë të transmetuar sot në televizion, guvernatori Bill Riçardson, tha se Presidenti i ardhshëm amerikan duhet të tërheqë trupat nga Iraku, të arrijë një pavarësi energjetike, të përmirësojë sistemin shkollor dhe gjithashtu të përmirësojë imazhin e vendit në plan ndërkombëtar.

Guvernatori me origjinë hispanike ka eksperiencë të madhe në Uashington si ligjvënës, ambasador në OKB, dhe sekretari i Departamentit të Energjisë në administratën e presidentit Klinton. Ai gjithashtu ka qenë i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për bisedime me Korenë e Veriut dhe Irakun.

Zoti Riçardson i bashkohet grupit të pretendentëve presidencialë të Partisë Demokrate. Javën e kaluar dy demokratë të rëndësishëm, Senatori nga shteti Illinois, Barak Obama dhe Senatorja nga shteti i Nju Jorkut, Hillari Klinton, thanë se kanë në plan të kërkojnë emërimin e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale.

Nga radhët e Partisë Demokrate kanë shpallur gjithashtu kandidaturën edhe ish-Senatori Xhon Eduards, Senatori Kris Dod, ligjvënësi Denis Kusiniç dhe ish-guvernatori i shtetit Aiua, Tom Vilsak. //kk//

XS
SM
MD
LG