Lidhje

Liban: Grevë e përgjithshme dhe protesta kundër qeverisë


Përkrahësit e opozitës kanë paralizuar Libanin me një grevë të përgjithshme dhe protesta, duke bllokuar autostradat në përpjekje për të përmbysur qeverinë e kryeministrit, Fuad Siniora.

Policia tha se 3 veta u vranë dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën në përleshjet e sotme në Bejrut dhe në zona të tjera. Në përleshje u përfshinë forcat e sigurimit, përkrahësit e qeverisë dhe protestuesit e opozitës. Greva u organizua nga grupi ekstremist shiit Hezbollah dhe aleatët e tij.

Gjatë një fjalimi që mbajti në televizion, kryeministri Siniora paralajmëroi opozitën që të mos përpiqet të prishë rendin publik dhe u zotua të marrë masa të ashpra kundër protestave.

Një udhëheqës i lartë i opozitës dhe aleat i Hezbollahut, Gjeneral Michel Aoun fajësoi qeverinë dhe përkrahësit e saj për dhunën.

Shtetet e Bashkuara shprehën keqardhje të thellë lidhur me zhvillimet në Liban dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të përdorin mjete paqësore dhe kushtetore për të debatuar çështjet politike me të cilat ata ndeshen. //kk//

XS
SM
MD
LG