Lidhje

Shqipëri: Sekuestrohen mbi 17 kilogram heroinë


Në Shqipëri policia mundi të zbulojë dhe sekuestrojë gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme një sasi prej mbi 17 kilogram heroinë. Droga e fortë u gjet në makinën e një emigranti shqiptar i cili po bëhej gati të nisje për në Itali me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Policia vuri menjëherë nën pranga 30 vjecarin shqiptar Shpëtim Hushi nën akuzën e trafikut ndrëkombëtar të lëndëve narkotike. Kjo është ndër sasitë më të mëdha të drogës të kapur në Shqipëri.

Pak ditë më parë Shpëtim Hushi, një emigrant shqiptar i cili jetonte prej 9 vjetësh në Bergamo të Italisë, kishte zbritur në portin e Durrësit mes shumë udhëtarëve. Hushi ishte banor i një fshati të Manzës pranë Durrësit.

Në ndryshim nga shumë emigrantë të tjerë që vijnë për të takuar të afërmit ë tyre, Hushi mesa duket kishte ardhur në Shqipëri me një tjetër qëllim, për të marrë dhe transportuar më pas drejt Italisë një sasi të konsiderueshme droge. Nga trageti emigranti kishte zbritur me një makinë me targa italiane, te ajo makinë ku mbrëmë, ndërsa ai po tentonte të rikthehej në Itali, me një traget të linjës Durrës Bari u gjetën të fshehura 17.4 kilogram drogë, e gjitha e llojit heroinë.

Zbulimi i tij duket qarttë se është bërë pas të dhënave paraprake të policisë së Durrësit e cila mbrëmë ishte vënë në lëvizje, duke organizuar operacionin Start 2007. Sapo Makina e Hushit ka hyrë në zonën e portit ajo është ndaluar për t’iu nënshtruar një kontrolli të rreptë. Një kontroll i cili ka vërtetuar sinjalizimet e policisë. Droga e fortë, vlera e së cilës në tregun shkon në disa qindra mijë euro, ishte ndarë në pako të shumta, të amballazhuara mirë ne qese plastike. Ajo ishte fshehur në serbatorin e makinës. Policia ka vënë menjëherë nën pranga emigrantin si dhe ka sekuestruar makinën.

Sasia e kapur mbrëmë është ndër më të mëdhatë të zbuluara deri tani. Gjatë vitit të shkuar policia shqiptare ka bërë të mundur sekuestrimin e 120.4 kilogramëve heroinë dhe 3.8 kilogramëve kokainë. Ndërsa kultivimi i canabis sativa në të gjithë vendin është reduktuar me 75 përqind. Në shumë raste policia shqiptare ka vepruar në bashkëpunim me partnërë të huaj duke organizuar 13 operacione ndërkombëtare dhe duke përdorur teknika të infiltrimit të agjentëve të saj mes rrjeteve të trafikantëve. //kk//

XS
SM
MD
LG