Lidhje

Del Ponte i bën thirrje BE-së të shtojë presionin ndaj Serbisë


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të shtojnë presionin ndaj Serbisë që ajo të arrestojë dhe të ekstradojë personat kryesorë të dyshuar për krime lufte.

Zonja del Ponte kritikoi disa vende evropiane, duke përfshirë Austrinë, Italinë dhe Spanjën, të cilët kanë kërkuar rifillimin e bisedimeve për marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë, megjithë dështimin e Beogradit për të arrestuar dhe ekstraduar Ratko Mlladiçin, personin e akuzuar për krime lufte.

Zyrtarët e Bashkimit i ndërprenë bisedimet me Serbinë në maj të vitit të kaluar për shkak të mosbashkëpunimit me Gjykatën e Hagës. Por muajin e kaluar, shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana tha se bisedimet mund të rifillonin edhe pa arrestimin e Mlladiçit nëse Beogradi bashkëpunonte me gjykatën.

Zonja del Ponte shprehu shpresën për arrestimin e Mlladiçit, ish komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjes dhe të Radovan Karaxhiçit, ish udhëheqësit të tyre, para se ajo të largohet nga posti në muajin shtator.//lk

XS
SM
MD
LG