Lidhje

Ahtisari i paraqet Prishtinës dhe Beogradit propozimin për statusin e Kosovës


I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Kosovën i paraqiti propozimin e tij udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd, i cili u pasua thuajse menjëherë me kundërshtimin e Serbisë.

Martii Ahtisaari bëri thirrje për kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës. Por Presidenti serb Boris Tadiç tha se propozimi i hap rrugë pavarësisë, gjë që është e papranueshme për Beogradin. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu shprehu besimin se plani do të çojë në të ardhmen drejt pavarësisë.

Plani i ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara parashikon krijimin e një shoqërie demokratike shumë-etnike me një ekonomi të tregut të lirë dhe një administratë që respekton të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar.

Në dokument nuk përmendet sovraniteti i Serbisë apo pavarësia e Kosovës. Por ai i jep Kosovës disa elemente të shtetit, përfshirë kushtetutën, flamurin dhe simbolet e saj kombëtare dhe të drejtën për antarësim në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore.

Plani i njeh të drejta dhe mbrojte të gjera pakicave jo-shqiptare të Kosovës, përfshirë edhe garantimin e një niveli përfaqësimi në qeveri, forcat policore si dhe administratën civile. Bashkitë me shumicë serbe, në bazë të këtij plani, do të kenë autonomi të gjerë, përfshirë edhe të drejtën për të pranuar fonde nga Beogradi.

Një i dërguar ndërkombëtar me fuqi të konsiderueshme vetoje si dhe me një forcë policore mbështetëse do të mbikqyrë qeverinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara e përshëndetën propozimin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Makormak tha se plani i zotit Ahtisari është i drejtë dhe i balancuar. Ai u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës të angzhohen në mënyrë konstruktive me zotin Ahtisari në një periudhë konsultimesh për të përfunduar marrëveshjen.

Propozimi i zotit Ahtisaari duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit. Zyra e të dërguarit ndërkombëtar parashikohet në dokument të marrë në dorë mbikqyrjen e Kosovës brenda 120 ditësh pas miratimit të një rezolute të re të OKB-së. //ad//

XS
SM
MD
LG